Shkodër, grindje në lokal me shishe birre e thika, 1 plagoset
SHKODER – Pas një ngatërrese të çastit dy të rinj therin me thikë një 48-vjeçar. Policia ka identifikuar autorët dhe po punon për kapjen e tyre. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 21:30 te lagjja “Dugajt e reja”. Nga hetimet paraprake mësohet se në një nga lokalet e kësaj lagjeje, mes dy tavolinave ka filluar një grindje për motive të dobëta. Grindja fillimisht ka filluar me fjalë dhe më pas ajo ka degjeneruar në përleshje fizike mes personave që ndodheshin në dy tavolina. Duke qenë se tavolinat ndodheshin jashtë lokaleve, në trotuare, grindja ka vijuar edhe në rrugë, duke e qëlluar njëri-tjetrin me gota dhe shishe birre. Më pas, gjatë kësaj përleshjeje ka mbetur i plagosur me thikë shtetasi Dedë Ç., 48 vjeç, ndërkohë që policia ka identifikuar 2 shtetas, Andjol Rajta, 27 vjeç dhe Robert Sterkaj, 22-vjeçar si autorët e plagosjes së 48-vjeçarit. Pas plagosjes, i lënduari është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku mjekët kanë dhënë garanci se nuk kishte probleme për jetën. Ndërsa policia me të marrë informacion ka mbërritur në vendngjarje ku me përjashtim të copave të gotave dhe shisheve të shpërndara nëpër trotuare dhe rrugë nuk ka gjetur gjë tjetër. Pas hetimeve paraprake si dhe nga dëshmitë e të plagosurit është mësuar se ka qenë një grindje e çastit ajo që solli plagosjen. Policia e Shkodrës nga hetimet paraprake ka identifikuar si autorë të plagosjes dy të rinjtë, Rajta dhe Sterkaj dhe ka bërë shpalljen e tyre në kërkim, me akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve të ftohta”. r.d