Karzai: Zgjedhjet ishin sukses; por 26 persona humbën jetën
Dje Afganistani kaloi ditën e rëndësishme të zgjedhjeve presidenciale. Ndërsa qendrat e votimit janë mbyllur, tensioni në vend ka mbetur i lartë. Në Kabul ka shpërthyer një “luftë” mes disa policëve dhe tre talebanëve. Guerilët kanë “pushtuar” një ndërtesë në zonën lindore të kryeqytetit afgan. Sipas Komisionit të pavarur elektoral (Cei) pjesëmarrja në zgjedhje ishte “shumë e mirë”. Por zgjedhjet ishin të përgjakura. Talebanët kanë ekzekutuar 26 persona, mes tyre civilë e forca të sigurisë. E megjithatë presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai i ka vlerësuar të suksesshme këto zgjedhje. Karzai i ka falënderuar afganët për sfidën ndaj kërcënimeve të talebanëve dhe daljen në votime në zgjedhjet e djeshme, duke thënë se kjo ishte një “ditë e mirë” për vendin. Qeveria afgane u shpreh “e kënaqur” me numrin e votuesve. Vlerësimet e policisë tregojnë se dalja në shkallë vendi ishte 70 për qind. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun u ka uruar afganëve votimet në zgjedhjet presidenciale dhe për këshillat krahinorë përkundër kërcënimeve për jetët e tyre. PO ashtu edhe kreu i NATO-s, Anders Fog Rasmussen, u shpreh se “në Afganistan fitoi siguria”. Rasmussen tha se mënyra se si u zhvilluan zgjedhjet në Afganistan është inkurajuese, sepse ishin hapur më shumë qendra të votimit se sa që pritej. Presidenti në detyrë, Hamid Karzai, ishte në garë përballë më shumë se 30 kandidatëve.