“Shqipëria ka punuar shumë për realizimin e projektit TAP”
Flet Masimo Gaiani, ambasadori italian në Tiranë
Ambasadori italian në Tiranë, Masimo Gaiani, ka vlerësuar përpjekjet e qeverisë shqiptare për të goditur fenomene si korrupsioni, që pengojnë sipërmarrësit e huaj të veprojnë në Shqipëri.
Në një prononcim për mediat ambasadori Gaiani ka theksuar se përmirësimi i procedurave elektronike ka pamundësuar korrupsionin. “Unë kam parë një pikë, tek e cila qeveria sigurisht ka punuar dhe ka përmirësuar ambientin sipërmarrës, që është kalimi progresiv drejt procedurave elektronike. Në këtë mënyrë bëhet e pamundur ndërhyrja e fenomeneve të korrupsionit. Në këtë drejtim, sigurisht që është bërë progres. Mendoj se ka ende punë për të bërë në Shqipëri, ashtu si në vende të tjerë. Qeveria është e angazhuar dhe ka deklaruar se dëshiron të reagojë në këtë drejtim. Sigurisht do të shohim atë që do të mund të bëhet dhe do të jetë një element i rëndësishëm për ta bërë Shqipërinë më tërheqëse për investitorët”.
Ndërsa i pyetur marrëveshjen mes Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë për projektin e gazsjellësit TAP, ambasadori italian vuri në dukje se, “TAP është një projekt i madh infrastrukturor, është një projekt i madh që nëse do të realizohet do të sjellë shumë punësim dhe efekte pozitive për ekonominë shqiptare, ashtu siç do të sjellë përfitime për ekonominë italiane, sepse do të jetë një burim tjetër për furnizimin e Europës me gazin që vjen nga Azerbajxhani. Pra do të ketë diversifikim të burimeve. Shqipëria është përpjekur shumë për të favorizuar përfundimin e këtij projekti, për të cilin janë angazhuar aktivisht tre vende, që janë dy vendet ku kalon gazsjellësi, Greqia dhe Shqipëria, si dhe Italia si vend destinacioni. Javën e ardhshme do të jetë firmosja e një marrëveshjeje ndërqeveritare mes të tre vendeve, që përcakton kushtet përmes të cilave projekti duhet të realizohet”.
Ndërkohë në lidhje me ecurinë e Shqipërisë drejt afrimit me BE-në, ambasadori italian Gaiani vlerësoi se rruga e afrimit drejt BE është një proces i gjatë dhe kompleks.
Sipas tij, “mund të themi se janë bërë hapa të rëndësishëm përpara dhe BE, nëpërmjet organit të tij teknik që është Komisioni, e ka vlerësuar përpjekjen e bërë nga Shqipëria dhe e ka certifikuar në raportin që ka publikuar tetorin e shkuar. Për fat të keq nuk janë bërë të gjithë hapat që ishin vlerësuar të nevojshëm për dhënien e statusit dhe ky raport, si dhe propozimi i Komisionit që Këshilli Europian të vlerësonte dhënien e statusit kandidat, është ende pezull. Shqipëria ka një opinion publik që është absolutisht i rreshtuar në favor të procesit të integrimit”.
Në fund ambasadori Italian në Tiranë bëri një thirrje që të gjitha forcat politike konfirmojnë dhe e kanë shprehur edhe në rastin e vizitës së komisionerit europian, se janë absolutisht në favor të rrugës europiane, për më tepër e konsiderojnë si një nga prioritetet e programit të tyre, në kuadër edhe të zgjedhjeve të ardhshme. “Ne urojmë që interesi i përbashkët i vendit do të mbivendoset ndaj interesave të palëve dhe që këto deklarime parimore të ndiqen me veprime koherente, në mënyrë që të realizohet tërësia e reformave që BE kërkon për anëtarësimin”.