“Shqipëria ka shënuar hapa të suksesshëm në luftën kundër dhunës ndaj gruas”
Kryetarja e Nderit në Senatin belg, Anne Marie Lizin
Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, u zhvillua dje Konferenca Ndërkombëtare me temë “Të gjithë bashkë kundër abuzimit ndaj grave dhe. Parlamenti i Shqipërisë në mbrojtje të të drejtave të tyre”.
Në konferencën me moton “Të gjithë bashkë kundër dhunës “, e organizuar nën kujdesin e veçantë të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, ishin të pranishëm Kryetarja e nderit të Senatit të Belgjikës, Anne Marie Lizin, Drejtoresha e CATW, Malkam Markoviç, zëvendësministrja e Brendshme, Iva Zajmi, zëvendësministrja e Punëve dhe Çështjeve Sociale, Filloreta Kodra etj, përfaqësues nga trupi diplomatik në Tiranë, deputetë etj. Duke çelur punimet e kësaj konference, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli vlerësoi rolin e këtij takimi në kuadër të bashkërendimit të gjithanshëm të të gjitha institucioneve kombëtare e kombëtare në luftën kundër dhunës në familje, ndaj gruas dhe të gjitha formave të saj.
“Është një temë shumë delikate dhe Kuvendi i Shqipërisë është përpjekur që ta ketë një ndër shtyllat kryesor të punës së saj. Një ndër temat më të vështira për të cilën Kuvendi i Shqipërisë, si dhe institucione të tjera kanë shumë për të thënë në lidhje më këtë temë. Kemi shumë punë për të bërë sepse është një rrugë e gjatë dhe unë kam besim se të gjithë ne bashkë do ta luftojmë këtë fenomen”, u shpreh kryetarja e Kuvendit.
Gjatë fjalës së saj, kryeparlamentarja Topalli solli raste konkrete të dhunës ndaj gruas duke i cilësuar ato si ngjarje tronditëse dhe shokuese që përbëjnë një apel të fortë për intensifikimin e mëtejshëm të masave në ndërmarrjen e një beteje të ashpër kundër këtij fenomeni.
Topalli konstatoi se vitet e fundit ka patur një rënie të rasteve të trafikimit të qenieve njerëzore ndërsa tha se ka një rritje të sensibilizimit për sa i përket denoncimit të dhunës ndaj gruas apo dhunës në familje.
Në mënyrë të veçantë, Kryetarja e Kuvendit bëri një pasqyrë të ligjeve, marrëveshjeve e rezolutave që Parlamenti ka miratuar në funksion të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, luftën kundër dhunës ndaj gruas, mbrojtjen e viktimave të dhunës, luftën kundër krimit të organizuar etj.