Kuvendi miraton ligjet “Për Faljen” dhe Inspektimin Financiar Publik

Kuvendi ka miratuar dje dy ligje të rëndësishme me votat e mazhorancës, pasi më herët opozita zgjodhi rrugën e braktisjes së Kuvendit në shenjë proteste se pse nuk shkelen ligjet, me arsyetimin që të merren në shqyrtim kërkesat e saj deligjitime. Me 73 vota ‘pro’ mazhoranca miratoi ligjin e ndryshuar për dekretin e faljes së plotë ose të pjesshme të dënimit të personave të burgosur si dhe ligjin për Inspektoriatin Financiar Publik. Votimi në Kuvend është zhvilluar pas largimit nga salla të deputetëve të opozitës të cilët deklaruan se do të mbajnë marrëdhënie të kushtëzuar me Kuvendin e Shqipërisë. Ndërkohë ligji për Inspektimin Financiar Publik, parashikon ngritjen e një strukture të veçantë që do të hetojë mënyrën e përdorimit të financimeve nga buxheti i shtetit për institucionet dhe organizatat joqeveritare.
Ministri i Financave, Bode: Projektligji përmirëson menaxhimin e financave Publike/ Ministri i Financave, Ridvan Bode u shpreh dje në Kuvend se projetkligji i qeverisë “Për inspektimin financiar publik” synon përmirësim thelbësor të menaxhimit të financave publike. Gjatë debatit në parlament për këtë p/ligj, ministri Bode, tha se domosdoshmëria e hartimit të këtij ligji buron nga angazhimet, që Shqipëria ka ndërmarrë në kuadër të proceseve integruese në BE dhe në gjithë reformën komplekse të financave publike. Sipas ministrit të Financave, projektligji për rëndësinë e tij, ka qënë i debatuar jo vetëm me institucionet e vendit, por dhe ato ndërkombëtare, si Komisioni Europian, i cili asiston nga pikëpamja teknike e ligjore reformat e ndërmarra nga vendet që aspirojnë të jenë kandidate në Bashkimin Europian, me qëllim plotësimin e standardeve ligjore. “Interesi i qeverisë shqiptare ka qenë i madh pasi p/ligji “për inspektimin financiar” ishte pjesë e Udhërrëfyesit të KE-së për liberalizimin e vizave”, nënvizoi Bode në Kuvend. P/ligji “Për inspektimin financiar” mbulon të gjitha institucionet që menaxhojnë fonde publike, fondet e BE-së dhe njësitë e qeverisjes vendore për projektet që realizojnë me të ardhurat e veta. Gjithashtu, në bazë të p/ligjit, pjesë e inspektimit bëhen edhe OJF-të që menaxhojnë fonde të qeverisë apo BE-së dhe inspektimi vjen nga një sinjal i jashtëm ose me kërkesë të një personi publik. Ministri i Financave do të ketë rolin kryesor në përzgjedhjen e inspektorëve financiarë, detyra e të cilëve është “mbrojtja e interesave financiare të njësive publike kundrejt menaxhimit të rëndë financiar, mashtrimit dhe korrupsionit (neni 2)”- përcaktohet në projektligj.
...