E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria kalon krizën ekonomike

Autori i Lajmit: red.
Portofoli i kredisë për bizneset u pakësua me 70 milionë euro gjatë muajit prill, në krahasim me marsin. Këtë e ka bërë të ditur Shoqata Shqiptare e Bankave. Rënia e kredisë për bizneset ndodh për herë të parë që kur bankat tregtare filluan aktivitetin në Shqipëri. Megjithatë, kredia për ekonominë vijoi të rritej për shkak se bankat iu rikthyen kredive për individët. Kreditë e këqija u rritën me shpejtësi gjatë prillit pas një ndalese të shkurtër në mars. Në fund të muajit të kaluar, 8 për qind e portofolit u konsiderua kredi e keqe në bilancet e bankave.
Ngadalësimi i kredive
Ritmi i rritjes së kredisë është ngadalësuar ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Rreth 60 për qind e kredisë së re të dhënë në muajin prill është destinuar për mbulimin e shpenzimeve imediate të biznesit dhe individëve. Vetëm 14 për qind ose 21 milionë euro nga kredia e re shkoi për prona të patundshme. Kredia me afat maturimi 6-12 muaj ka qenë më e parapëlqyera për bankat gjatë muajit prill. Individët kanë përfituar norma interesi më të ulëta se biznesi, veçanërisht për kreditë në euro. Bankat patën paralajmëruar se interesat e kredive priteshin të rriteshin në tremujorin e dytë të këtij viti, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Kredia për shtëpi në euro u dha për 6.86 për qind gjatë prillit për klientët individualë, ndërsa kredia për prona të patundshme për biznesin pati një normë interesi prej 8.8 për qind. Kredia për shtëpi në lekë pati interes prej 13.86 për qind për individët. Kreditë overdraft dhe ato për kapital qarkullues për biznesin, qenë më të shtrenjtat. Për kreditë në lekë arritën në 14 për qind, ndërsa për kreditë në euro u pagua deri në 9 për qind.
Ecuria e kredive
Ndryshe nga sa kishin parashikuar bankat, interesat e kredive afatmesme dhe afatgjata të akorduara për individët, ishin përgjithësisht në rënie gjatë prillit, muaj kur dëshira e bankave për të dhënë kredi ishte e dobët dhe kërkesa gjithashtu e dobët. Kreditë për biznesin pësuan rritje. Përjashtim bëjnë kreditë overdraft, të cilat pësuan rritje si për biznesin, ashtu edhe për individët. Interesat e kredive për prona të patundshme në euro për individët pësuan një rënie të konsiderueshme. Interesi i kredisë për shtëpi ra në 6.86 për qind ose 70 pikë bazë më pak se në mars. Interesi i kredisë së kësaj kategorie në lekë qëndroi i pandryshueshëm, në 13.8 për qind.
Pritshmëritë
Pritjet e bankave për tremujorin e dytë të vitit 2009 flasin për një zbutje të mundshme të standardeve shtrënguese që bankat do të aplikojnë, krahasuar me shkallën aktuale të shtrëngimit të tyre, si për ndërmarrjet, ashtu edhe për individët. Gjendja e kredive me probleme është një faktor, rëndësia e të cilit në shtrëngimin e standardeve të miratimit të kredive është rritur në tremujorin e parë të këtij viti. Bankat presin një lehtësim në shkallën e shtrëngimit të standardeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2009. Ekspertët vlerësojnë se kjo ecuri shoqërohet me efekte pozitive në balancën me jashtë, por ka efekte të padëshirueshme në zhvillimit ekonomik. Kryesisht sa i përket ndikimit në konsum dhe në investimet private.

Ky lajm është publikuar: 01/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›