E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kasacioni italian, vendime në shqip

 

TIRANE – Gjykata e Kasacionit në Itali ka një projekt që vendimet e saj të publikohen në gjuhën shqipe, në rastet kur personat e gjykuar janë shqiptarë. Nisma është bërë me dije nga zyrtarët e të dy vendeve gjatë takimeve që kreu i Kasacionit Italian po zhvillon gjatë vizitës së tij në Tiranë. Kryetari i Gjykatës Kasacionit të Italisë, Vincenzo Carbone, zhvilloi dje takime me Presidentin Bamir Topi, kryetaren e Parlamentit Jozefina Topalli, Kryetaren e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj dhe Prokuroren e Përgjithshme Ina Rama. Sipas burimeve zyrtare, në takimin me Kryeprokuroren Ina Rama, dy zyrtarët diskutuan për rëndësinë e njohjes së kësaj jurisprudence me qëllim ngritjen e standardit të procesit penal në Republikën e Shqipërisë dhe përqasjen me standardet europiane dhe të Strasburgut. “Mes dy palëve u fol për inicimin e një projekti që do të mundësonte njohjen e jurisprudencës së kësaj gjykate, në kohë reale dhe të përkthyera në gjuhën shqipe”, tha zëdhënësja e Prokurorisë së Përgjithshme Holta Zhiti. Më parë, kryetari i Kasacionit italian, zhvilloi një takim me Kryetaren e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë Shpresa Beçaj. Kjo e fundit mësohet se ka bërë ftesën për zyrtarin italian për një vizitë në vendin tonë. “Kryetari i Gjykatës së Kasacionit Carbone është pritur nga të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë, të cilët i kanë shprehur atij konsideratat e larta”, thanë burimet nga Gjykata e Lartë. Gjykata e Kasacionit të Italisë prej disa vitesh është pjesë e Unionit të Gjykatave të Larta të Evropës Perëndimore. Kreu i Kasacionit italian vuri në dukje se po punohet që edhe Shqipëria me Gjykatën e saj të Lartë të përfitojë nga përvoja e ndihmesa italiane, në mënyrë që të anëtarësohet së shpejti në rrjetin evropian të gjykatave të kasacionit. Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, Shpresa Beçaj, tha gjatë takimit me zyrtarin italian se të dyja vendet ndajnë të njëjtat shqetësime në lidhje me rregullat juridike, etike dhe morale të cilat duhet të vendosen dhe zbatohen nga të gjithë anëtarët e gjyqësorit në të dyja vendet. Dje, Kryetari i Gjykatës së Kasacionit të Italisë Vincenzo Carbone është pritur në një vizitë të veçantë nga Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›