E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri: S’do ketë pension nën 100 dollarë

 

Partia Demokratike hapi dje fushatën në Elbasan, në të cilin u vu re një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve në një qytet ku bashkinë e drejtojnë socialistët. Pas prezantimit të kandidatëve, të kryesuar nga ministri i jashtëm, Lulzim Basha, Kryeministri Berisha premtoi se në mandatin e ardhshëm të PD-së nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Në të njëjtën kohë, ai u zotua për luftë pa kompromis kundër korrupsionit, teksa vuri theksin edhe te shtimi i investimeve në infrastrukturë. “Unë vij sot tek ju pasi ne i mbajtëm premtimet që unë kam bërë këtu në qytetin tuaj, në Teatrin Skampa, se në katër vite do të dyfishojmë të gjitha pensionet e fshatit, se në Elbasan dhe në mbarë Shqipërinë nuk do të ketë pension nën 100 dollarë. Unë vij sot tek ju, pasi në zotimit tim premtova se me gërshërët e ligjit do t’u pres duart atyre që fusin duart në xhepat tuaja”, u shpreh Kryeministri Berisha. Duke iu referuar mandatit të parë, kreu i qeverisë iu referua anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, aplikimit për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, si dhe firmosjes së disa investimeve të mëdha energjetike. Kreu i qeverisë premtoi gjithashtu se në mandatin e dytë nuk do të ketë asnjë rrugë që nuk do të shtrohet. Por nga qyteti i Elbasanit, ai iu kundërpërgjigj kreut të PS-së, Edi Rama, i cili deklaroi një ditë më parë në Durrës se nuk i duhej mandati i deputetit pasi do jetë Kryeministër i vendit. “Nga sheshi Elbasanit, në emër të popullit të Elbasanit, do t’i kërkoj zotit Rama, i cili u deklaronte mbrëmë durrsakëve se nuk mund të hynte në Parlament pasi nuk mund të tradhtonte qytetarët. Por, a është tradhti ndaj jush në se ju votoni drejtuesin tuaj për në Parlament? Çfarë tradhtie përbën kjo? Së dyti zoti Rama, destinacioni i këtyre qytetarëve, pavarësisht nga hallet që kanë, është vetëm një Evropa dhe vetëm Evropa”, tha Berisha. Kreu i qeverisë u shpreh i gatshëm sërish të amendojë ligjin për të bërë të mundur që edhe kreu i opozitës të futet në garën elektorale të 28 qershorit. “Ti nuk e bën dot këtë, ndonëse unë, në emër të respektit që kam për socialistët dhe për vendin tim, të jap ty kohë ta vendosësh emrin në krye të listës, por ti se bën dot këtë sepse për ty standardi evropian janë lejet e bashkisë dhe lejet e ndërtimit. Ti nuk e bën dot këtë, sepse ti zoti Rama nuk do zgjedhje, do karrige dhe leje ndërtimi”, përfundoi Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›