E Shtunë, 31 Tetor 2026

Divorci, Pirro Çako në gjykatë kundër padisë së Inva Mulës

 

Armand Bajrami

Dy muaj pas kërkesës së sopranos së famshme Inva Mula për divorc bashkëshortor me kantautorin Pirro Çako, ky i fundit duket se është ende i “pavendosur”. Qëllimi për shmangien e divorcit u artikulua në seancën e djeshme në Gjykatën e Tiranës, ku avokatja e Pirro Çakos pretendoi se kërkesë-padia për divorc nga sopranoja Inva Mula ishte e paplotë. Si e tillë, avokatja e Pirro Çakos tha se padia e Inva Mulës, duhet të plotësohet dhe të risillet në gjykatë, pasi në të nuk sqarohej fakti që dy ish-partnerët kishin zgjedhur bashkërisht të jetonin larg njëri-tjetrit. Krejtësisht e kundërta u pretendua nga pala paditëse, që në këtë proces është Inva Mula. Gjykata nuk pranoi rikthimin e kërkesë padisë dhe caktoi ditën e premte, datë 5 qershor, për seancën e radhës, ku palët do të adresojnë pyetje mes tyre në lidhje me divorcin.
Në seancën e djeshme asnjëri nga anëtarët e çiftit Çako-Mula nuk ishin prezentë në seancë. Ata përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Burime pranë gjykatës sqaruan se në seancën e djeshme, mbrojtësja ligjore e kantautorit Pirro Çako pretendoi se kërkesë padia për divorc e bërë nga Inva Mula ishte e paplotë. Sipas avokates, të jetuarit larg njëri-tjetrit ishte një mënyrë jetese e zgjedhur nga vetë bashkëshortët dhe kjo nuk përbënte shkak për të quajtur jo-funksionale martesën mes tyre. Në argumentimin e kërkesës, mbrojtësja ligjore e kantautorit Pirro Çako, konfirmoi dy takime të sopranos së famshme Mula me bashkëshortin e saj Pirro Çako pas vitit 2007. Sipas avokates, bëhej fjalë për një takim në aeroportin “Nënë Tereza”, teksa Pirro Çako ishte duke përcjellë djalin e tij për në Francë. Gjithashtu edhe takimi i tyre në ditëlindjen e mamasë së Pirro Çakos, ku çifti është parë të qëndrojë gjatë gjithë kohës bashkë. Pretendimi i palës së paditur është kundërshtuar plotësisht nga ana e mbrojtësit të sopranos Inva Mula. Sipas avokatit të saj, diapozitivi i kërkesë-padisë është i saktë dhe i përmbledh të gjitha. Ndërsa për takimet e përmendura mes dy bashkëshortëve, avokati i ka cilësuar ato si “takime formale”. Në seancën e radhës, e cila do të jetë të premten, palët do t’i kërkojnë shpjegime njëri-tjetrit me anë të pyetjeve të dyanshme. Kërkesa zyrtare për divorc mes çiftit të famshëm u bë e ditur në ditët e para të muajit prill. Pas një periudhe disa vjeçare të jetesës në distancë, Inva Mula paraqiti një kërkesë padi në gjykatën e Tiranës ku kërkonte zgjidhjen e martesës me Pirro Çakon.

Sopranoja, e vendosur për procesin
Në seancën e mëparshme gjyqësore të divorcit Mula-Çako, sopranoja e famshme theksoi se ndarja e saj nga kantautori Çako nuk kishte kthim pas. “Është çështje e mbyllur”, u shpreh ajo përpara gjykatës, gjatë asaj që proceduralisht ishte seanca e pajtimit mes palëve. Në po këtë seancë nga avokatja e Çakos, pasi ai nuk ishte prezent, u kërkuar pajtim mes dy bashkëshortëve.

Martesa
Marrëdhënia në distancë mes Pirro Çakos dhe Inva Mulës prej kohësh ishte venë në “shënjestër” të shkrimeve në shtyp dhe kronikave televizive. “Zhurma” mediatike u zmadhua pas zbulimit të faktit, që sopranoja kishte krijuar një lidhje në biznesmen kosovar. Ndërsa ndarja e çiftit të këngëtarëve u zyrtarizua pas kërkesës për divorc në gjykatë nga ana e sopranos Mula.  

Refuzimi
Pirro Çako dhe Inva Mula nuk arritën pajtimin në seancën e parë të procesit, e cila u zhvillua në Gjykatën e Tiranës. Trupi gjykues, sipas dispozitave për proceset e tilla civile, në seancën e parë të gjyqit, u apeloi palëve mundësinë e fundit për pajtim. Ajo që kundërshtoi ishte sopranoja e njohur Inva Mula, e cila u shpreh përmes avokates së saj kundër pajtimit. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›