Antiskafi në fuqi edhe pas afatit
Moratoriumi që ndaloi përdorimin e mjeteve lundruese, i njohur ndryshe si “Ligji Antiskaf” do të mbetet në fuqi edhe pse prej 8 muajsh afati 3-vjeçar i tij ka kaluar. Policia e shtetit është e detyruar të ndalojë përdorimin e skafeve dhe mjeteve të tjera lundruese në bregdetin shqiptar, derisa moratoriumi të abrogohet nga Kuvendi i Shqipërisë. Lajmi konfirmohet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Ai tha dje për “Vizion Plus” se ligji për ndalimin e mjeteve lundruese duhet të abrogohet nga Parlamenti, përndryshe është i detyrueshëm të zbatohet nga policia. Zyrtarët e policisë së Shtetit pranojnë se ligjërisht moratoriumi e ka kaluar afatin e tij 3-vjeçar të deklaruar që në fillim. Mirëpo vetë përmbajtja e ligjit nuk sanksionon shfuqizimin e tij pas përfundimit të afatit 3-vjeçar nga momenti i hyrjes në fuqi. Në këtë mënyrë, policia e shtetit është e detyruar të zbatojë çdo pikë të “Ligjit Antiskaf” siç është shkruar, duke ndaluar përdorimin e mjeteve lundruese dhe duke ndëshkuar ata që shkelin moratoriumin. Në gusht të vitit të kaluar, Ministri i Brendshëm Nishani deklaroi para mediave mundësinë që afati i zbatimit të moratoriumit të shtyhej pas 3-vjeçarit të parë. Nga momenti i hyrjes në fuqi, afati 3-vjeçar i ligjit ka përfunduar në tetor 2008 ndërsa aktualisht plotësohen tetë muaj që nga koha kur ligji antiskaf e ka kaluar afatin në fjalë. Për sa kohë “ligji antiskaf” nuk është abroguar nga Parlamenti, ai duket se do të jetë i detyrueshëm për zbatim nga policia shqiptare edhe gjatë këtij sezoni turistik në të gjithë territorin e vendit.
Afatet e moratoriumit
Moratoriumi që ndaloi përdorimin e mjeteve lundruese të pa licencuara, hyri në fuqi në tetor 2005. Që në fillim të iniciativës, u përcaktua se afati kohor në të cilin shtronte efektet ligji në fjalë ishte 3 vjet. Nisma ligjore e cila u debatua gjatë në publik dhe në Parlament, u motivua me gjendjen e trafikut të qenieve njerëzore, përmes zonës kufitare të bregdetit të vendit. Duke iu referuar rasteve evidente të trafikimit, por edhe shifrave të larta të treguesve lidhur me këtë krim, moratoriumi Antiskaf kaloi në Parlament me votat e shumicës dhe më pas hyri në fuqi në tetor 2005. Policia kufitare bllokoi me dhjetëra mjete lundruese që u përkisnin atyre përdoruesve që tentuan të shkelin ligjin që sapo kishte hyrë në fuqi. Ndërkaq u ndalua rreptësisht përdorimi i mjeteve lundruese pa bërë regjistrimin dhe licencimin e tyre sipër rregullave të përcaktuara në ligj. Gjatë tri viteve, masat e konsideruara nga skeptikët si “drastike” dhanë efektet e tyre ndërsa policia regjistroi minimumin e trafikut të drogës dhe qenieve njerëzore përmes detit nga Shqipëria drejt vendeve fqinje. Nisur nga ky rezultat, Ministria e Brendshme parashikonte një shtyrje të dytë të efekteve të ligjit, pas përfundimit të afatit të parë 3-vjeçar. Një shtyrje e tillë, megjithatë nuk u realizua në legjislaturën e fundit të Kuvendit, i cili tanimë ka mbyllur punimet deri në përfundim të procesit të zgjedhjeve. Procedurat parashikojnë se ligji “Antiskaf” mund të bëhet objekt i Parlamentit në tetorin e këtij viti, plot një vit pas kalimit të afatit të parë 3-vjeçar. tr.so
Policia kufitare zbatoi moratoriumin
TIRANE – Ligji “Antiskaf” shtriu efektet e tij mbi industrinë e peshkimit në zonën bregdetare të Shqipërisë por edhe në rrethe si Shkodra apo Pogradeci, ku mjetet lundruese përdoreshin për qëllime turizmi në afërsi të zonave kufitare. Policia e kufirit ishte struktura e cila më së shumti u mor me ekzekutimin e ligjit në fjalë, duke ndëshkuar pronarët e mjeteve lundruese që i vinin ato në përdorim pa licencën dhe regjistrimin përkatës. Dhjetëra mjete lundruese, si varkat, skafet apo gomonet dhe anijet e vogla e peshkarexhat private u bllokuan gjatë aksioneve të policisë në zbatim të ligjit Anfiskaf të vitit 2005.
Ministria: Moratoriumi i nevojshëm
TIRANE – Ministri i Brendshëm Bujar Nishani në një dalje publike para përfundimit të afatit të parë të ligjit Antiskaf, paralajmëroi në vitin 2008, mundësinë e shtyrjes së moratoriumit. Pasi bëri një paraqitje të situatës së trafiqeve në zonat kufitare dhe veçanërisht gjendjen që lidhet me kufijtë ujorë e detarë, Ministri i Brendshëm theksoi se policia kufitare ka përparuar dukshëm në kapacitetet e saj, porse moratoriumi antiskaf ishte ende i nevojshëm. Një gjë e tillë është argumentuar me faktin se policia kufitare e Shqipërisë ende nuk i ka të gjitha mjetet e duhura në dispozicion, për të parandaluar në kohë trafikun e drogës apo të qenieve njerëzore që mund të stimulohet nga përdorimi i lirë e pa kontroll i mjeteve lundruese kryesisht në det por edhe në liqenet që shtrohen në zona kufitare me vendet fqinje. “Policia jonë kufitare nuk ka mundësitë dhe kapacitetet e duhura për të kryer kontrollin e nevojshëm për të parandaluar trafiqet në det. Për shkak të mungesës së mjeteve në infrastrukturë, policia kufitare nuk e ka ende në kontroll të plotë vijën bregdetare ndaj qëndrimi i moratoriumit antiskaf në fuqi mund të ndihmojë minimizimin e trafiqeve nga deti”, thanë burimet e Ministrisë së Brendshme pak kohë para se të skadonte afati i parë i ligjit “Antiskaf”.