E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lesi: Do bëj publike të pathënat për Berishën, Ramën dhe Nard Ndokën

 

Kryetari i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, do të shpalosë përpara elektoratit të Rubikut një fjalim ku do të japë arsyet se pse kërkon të jetë në shtatëshen e deputetëve për qarkun e Lezhës. Dje kryetari i LDK-së, Nikollë Lesi, zhvilloi një sërë takimesh në fshatrat Rasfik, Fan, Fierzë dhe në qytetin e Rubikut, ku po përgatit takimin e madh të ditës së shtunë në orën 19:30, në sallën e Pallatit të Kulturës në Rrëshen. Sipas Lesit, hyrja do të jetë e lirë dhe jo vetëm për simpatizantët e tij. Lesi ka menduar që në një fjalim të shkurtër prej 5 minutash t’ju shpjegoj se përse u kërkon votën zonës së qarkut të Lezhës e konkretisht në Mirditë dhe më pas do t’ju nënshtrohet pyetjeve nga salla me gojë e me shkrim. Kreu i LDK-së, Lesi do të shpjegojë nga Rrësheni marrëdhëniet e tij me kreun e PD-së, Berisha, Kryetarin e PS-së, Edi Rama, si dhe mbi të gjitha do të shpjegojë arsyet pse ia dhuroi partinë, PDK-në, Nard Ndokës. Gjithashtu, Lesi shprehet se do të flasë edhe për pabesinë e grupit që erdhi në krye të PDK-së “të kryesuar nga Nard Ndoka e biznesmeni i tenderave Ndue Shpani, si dhe pse ka krijuar partinë e re Demokristiane, LDK, pse mendon se duhet patjetër të jetë dhe ai në shtatëshen e deputetëve që do fitojnë më 28 qershor në Lezhë”. Kreu i LDK-së nuk do të ngurrojë që të shpjegojë se çfarë marrëdhëniesh ka ai me figurat kryesore të politikës dhe të shtetit shqiptar, si Ben Blushin, Lulzim Bashën e Presidentin Bamir Topin, si dhe do të flasë për projektet e tij për Mirditën. Për të qenë sa më transparent dhe pranë publikut, kreu i LDK-së, Lesi ka kërkuar që takimi i tij i hapur të transmetohet direkt nga një televizion lokal, pasi beson do të ketë dhe një shikueshmëri të lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›