E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria kërkon në OKB shkrirjen e NATO-s dhe Varshavës

“ZP” publikon fjalimin e zv/ministrit Reis Malile në selinë e OKB-së. Sugjerimet e Tiranës zyrtare për paqen dhe siguri në kontinentin e Europës

Vijon nga numri i kaluar

Qëndrimi i Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me çështjen e sigurimit europian njihet mirë. Delegacioni shqiptar dëshiron të theksojë edhe një herë se paqja e sigurimi i vërtetë në Europë nuk mund të realizohet pa marrë masa efikase për të likuiduar rreziqet që u vijnë popujve europianë nga politika agresive e dy superfuqive dhe për të ndryshuar gjendjen ekzistuese në këtë kontinent. Në radhë të parë kjo kërkon likuidimin e blloqeve agresive të NATO-s dhe Traktatit të Varshavës, tërheqjen e trupave amerikane dhe sovjetike nga territoret e vendeve europiane, prishjen e të gjitha bazave ushtarake të dy superfuqive, ndalimin e manovrave të tyre ushtarake pranë kufijve të vendeve sovrane europiane dhe largimin nga Mesdheu të flotave të luftës. Çdo iluzion mbi vlerën e vendimeve që u aprovuan në Helsinki jo vetëm nuk i shërben çështjes së paqes e të sigurimit europian, por do të shfrytëzohet nga dy superfuqitë në dëm të interesave jetike të popujve të Europës. Zhurmën mbi të ashtuquajturën ulje të tensionit, dokumentet dhe frymën e konferencës së sigurimit europian dy superfuqitë dhe disa forca të tjera reaksionare përpiqen t’i shfrytëzojnë edhe si mjet që të harrohen një sërë çështjes të mbetura pa u zgjidhur që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore dhe për t’u mohuar popujve europianë të drejtën për të kërkuar zgjidhjen e këtyre çështjeve. Nga kjo situatë kërkon të nxjerrë përfitimet e saj edhe Republika Federale Gjermane, e cila duke shfrytëzuar rivalitetin midis SHBA-ve e BS-së, përpiqet të afirmohet si fuqi e dorës së parë në Europë. Përkrahja dhe nxitja e vazhdueshme e SHBA-ve dhe lëshimet e njëpasnjëshme të BS-së social-imperialiste kanë shërbyer si inkurajim për forcimin e tendencave revanshiste në RF Gjermane. Nga viti në vit qeveritë e këtij vendi i kanë shtuar përpjekjet për ta kaluar në histori RF Gjermane pa shlyer detyrimet që bien mbi të si rezultat i daljes së Gjermanisë si shtet i mundur nga Lufta e Dytë Botërore, pas shpartallimit të nazizmit hitlerian nga popujt e koalicionet antifashist. Qeveria shqiptare, me kohë e në shumë raste e dokumente, i ka bërë të qarta pikëpamjet e saj për këtë çështje, të cilat i ka parashtruar edhe në këtë asamble tre vjet më parë, në kohën e pranimit të dy shteteve gjermane si anëtare të OKB-së. Delegacioni shqiptar e quan të nevojshme të vërë edhe një herë në dukje se RF Gjermane ka detyrime e borxhe të mëdha ndaj popullit shqiptar për krimet e shumta barbare, dëmet e shkatërrimit kolosale që bënë në Shqipëri pushtuesit nazistë gjermanë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë kohët e fundit ia ka përshtatur edhe një herë RF Gjermane kërkesën për t’i paguar dëmshpërblimet e luftës. Qeveria e RF Gjermane jo vetëm nuk ka marrë asnjë masë deri sot për të vënë në vend të drejtat e Republikës Popullore të Shqipërisë lidhur me dëmshpërblimet e luftës, por duke u mbështetur në justifikime krejt pabaza, përpiqet t’ia mohojë asaj këto të drejta. Ky është një tjetër qëndrim armiqësor që ajo mban ndaj popullit shqiptar, i cili nuk mund të mos i kujtojnë tij mizoritë e masakrat që nazistët gjermanë kanë bërë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Duke ecur në këtë rrugë, qeveria e RF Gjermane nuk bën tjetër veçse ngarkon vetëm me përgjegjësi akoma më të madhe. Republika Popullore e Shqipërisë nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkesat e saj të ligjshme, të pakundërshtueshme e të paparashkrueshme. Në asnjë rrethanë e nën asnjë pretekst RF Gjermane nuk mund t’i shmanget përgjegjësisë e të çlirohet nga detyrimet që bien mbi të. Delegacioni shqiptar deklaron se për zgjidhjen e këtij problemi nuk ka rrugë tjetër të drejtë e të pranueshme veç asaj që qeveria e Republikës Federale Gjermane të rishikojë qëndrimin e vet dhe të fillojë sa më parë t’i shlyejë Republikës Popullore të Shqipërisë dëmshpërblimet e luftës. Rritja e dukshme e rivalitetit midis SHBA-ve e BS-së për ekspansion dhe hegjemoninë në Mesdhe po e bën gjithnjë e më të nderë gjendjen në këtë rajon. Këtë vit ata i kanë përforcuar në një masë të paparë flotat e tyre të luftës me aeroplanmbajtëse e kryqëzorë të rinj, me nëndetëse bërthamore dhe anije të shumta desantimi etj. Lëvizjet provokuese e kërcënuese të këtyre flotave në çdo skaj të Mesdheut janë një demonstrim i politikës së forcës e të shantazhit që praktikojnë dy superfuqitë për të frikësuar e gjunjëzuar popujt dhe vendet mesdhetare. Admiralë e ushtarakë të lartë të dy superfuqive bëjnë vizita pas vizitash në disa vende mesdhetare. Anijet amerikane e sovjetike të luftës, në maskën e vizitave miqësore, hyjnë e dalin pa pushim në portet e disa vendeve mesdhetare dhe përpiqen të qëndrojnë atje sa më gjatë, me synimin që t’i kthejnë praktikisht këto porte në baza të përhershme për ankorim e furnizim. Sot nuk ka vend për asnjë iluzion lidhur me arsyet dhe synimet e pranisë së flotave të dy superfuqive në ujërat dhe në portet mesdhetare. Masat e drejta që mori këtë vit qeveria egjiptiane duke dëbuar nga portet e Egjiptit anijet ushtarake të social-imperialistëve sovjetikë, vërtetojnë edhe një herë atë që flotat e luftës të dy superfuqive, edhe kur vijnë gjoja për ndihmë e me qëllime miqësore, kthehen në rrezik të vazhdueshëm për lirinë e pavarësinë e vendit ku ndodhen dhe të vendeve të tjera përreth. Mesdheu u përket vendeve mesdhetare dhe popujt e këtyre vendeve aspirojnë që ky det të kthehet në një zonë paqeje e qetësie. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë i ka deklaruar botërisht pikëpamjet e saj se për t’ia arritur këtij qëllimi duhet që çdo vend mesdhetar të kundërshtojë me vendosmëri politikën agresive të SHBA-ve dhe të BS, duhet që vendet ku janë instaluar bazat e tyre ushtarake t’i likuidojnë ato, që flotave amerikane e sovjetike të mos u jepet asnjë lehtësi portuale. Udhëheqësi i popullit shqiptar, shoku Enver Hoxha, ka thënë: “Asnjë pretekst nuk mund të qëndrojë në këmbë kur u jepen leje flotave të të dy superfuqive jo vetëm që të kenë baza të përhershme,por edhe të drejtë të ankorohen, të riparohen e të furnizohen. Kjo është shumë e rrezikshme si për vendin që i jep këto koncesione, por edhe për fqinjin. Me këto veprime nuk mund të jemi dakord me askënd”. Vizitat e luftanijeve amerikane e sovjetike në portet e Mesdheut nuk kanë asgjë miqësore. Ato janë thjesht një shprehje e politikës së kanionerive. Çfarë miqësie mund të quhet ajo kur i ashtuquajturi mik të vjen në shtëpi i armatosur deri në dhëmbë, me topa, me zjarr e me hekur? Edhe në Gadishullin Ballkanik gjendja nuk është e qetë. Dhe kjo ndodh kryesisht si pasojë e politikës hegjemoniste që ndjekin në këtë zonë SHBA e BS. Ata përpiqen të ndërhyjnë në punët e brendshme të vendeve të Ballkanit, të krijojnë konflikte dhe t’i nxisin popujt e kësaj zone kundër njëri-tjetrit. Një gjendje e tillë nuk mund të mos ngjallë shqetësime të ligjshme tek popujt ballkanikë. Republika Popullore e Shqipërisë, e cila ndjek me besnikëri e konsekuencë politikën e fqinjësisë së mirë, nuk i ka kursyer përpjekjet e saj për të kontribuar për paqen e stabilitetin e vërtetë në Ballkan. Ajo ka treguar me vepra konkrete se nuk ka lejuar e nuk do të lejojë kurrë që popujve të vendeve fqinj dhe popujve të tjerë të Ballkanit t’u vijë ndonjë e keqe nga territori i saj. Qeveria shqiptare ka vlerësuar drejt çdo dëshirë të sinqertë për një mirëkuptim e bashkëpunim të vërtetë ballkanik dhe, duke u nisur nga gjendja reale që ekziston në Ballkan, ka shprehur hapur mendimet e saj mbi rrugët për arritjen e këtij mirëkuptimi e bashkëpunimi. Ajo i përmbahet pikëpamjes se aktualisht aspiratave të popujve ballkanikë mund t’u shërbehet më mirë nëpërmjet zhvillimit të marrëdhënieve midis vendeve të Ballkanit në rrugë bilaterale dhe në frymën e politikës së fqinjësisë së mirë. Një rëndësi të veçantë për paqen e stabilitetin në Ballkan e në zonat përreth tij ka zgjidhja e drejtë e problemit të Qipros. Qeveria shqiptare është shprehur kurdoherë në favor të ekzistencës së shtetit të lirë e të pavarur të Qipros, të respektimit të sovranitetit e të integritetit të tij territorial dhe të zgjidhjes së problemit të Qipros nga vetë dy komunitetet që jetojnë në këtë ishull në harmoni e në mirëkuptim midis tyre. Ne dënojmë çdo ndërhyrje të fuqive imperialiste në punët e brendshme të Qipros dhe planet e intrigat e SHBA-ve dhe BS-së për ta shfrytëzuar çështjen qipriote për qëllimet e politikës së tyre hegjemoniste.

Shkrimi është botuar në gazetën “Zëri i popullit” më datë 5 tetor 1976
Titulli është redaksional
Përgatiti: Matilda Arapi

10 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›