E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova, pjesëmarrëse e samitit të ministrave të BE-së

Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Zenun Pajaziti, mori pjesë në Forumin e Ministrave të Brendshëm dhe të Drejtësisë të Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në kryeqytetin e Republikës së Kroacisë, në Zagreb. Forumi është organizuar nga Presidenca franceze e Bashkimit Evropian në bashkëpunim me Komisionin Evropian dhe qeverinë e Republikës së Kroacisë. Sipas zyrës së ministrit kosovar, diskutimet në këtë Forum fokusohen kryesisht në nevojën e forcimit të bashkëpunimit rajonal, në luftën kundër krimit të organizuar dhe të përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, po diskutohen edhe çështjet e migrimit, azilit, liberalizimit të vizave, menaxhimit të integruar të kufijve etj. Ministri Pajaziti në prezantimin e tij tha se "lufta kundër krimit të organizuar është prioritet absolut i qeverisë së Republikës së Kosovës, duke rikonfirmuar përkushtimin për tolerancë zero ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit". "Ne besojmë fuqishëm në të ardhmen e sigurt evropiane të vendit tonë dhe do të vazhdojmë t‘i implementojmë të gjitha standardet e kërkuara. Jemi të vetëdijshëm për sfidat dhe rrugën e gjatë përpara, por nuk do të ndalemi derisa të realizojmë qëllimin tonë të fundit për integrim në Bashkimin Evropian", përfundoi ministri Pajaziti. Pjesëmarrja e delegacionit nga Kosova në këtë Forum të nivelit të lartë, është mirëpritur nga pjesëmarrësit e kësaj Konference si dëshmi se Kosova tashmë është partner i barabartë në të gjitha iniciativat rajonale dhe ndërkombëtare. Ministri Pajaziti ka realizuar takime të shumta me përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së dhe zyrtarë të Komisionit Evropian. Ministri Pajaziti pati takime të ndara dhe shumë të frytshme me zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Jacques Barrot, ministren e Brendshme të Francës, znj. Michele Alliot Marie, vendi i së cilës është kryesues aktual i Bashkimit Evropian, ministren çeke të Punëve të Brendshme, si kryesuese e ardhshme e Presidencës së Bashkimit Evropian, si dhe me ministrat e Punëve të Brendshme të Kroacisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe me shumë përfaqësues tjerë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›