Shqipëria, kontribut në aksionet ushtarake
Shqipëria mbështet politikën e dyerve të hapura të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Në takimin e mbajtur dje në Tiranë mes ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, pala shqiptare ka mbështetur projektin e përfshirjes së plotë të Ballkanit në Aleancë. “Situata në Ballkan përbën një sukses, dëshira dhe synimi ynë është që të shoh të gjitha vendet e Ballkanit si vende anëtare të NATO-s”, tha Rasmussen, i cili ka gjetur miratimin e plotë të Metës. Shqipëria, vijoi ai, e di nga përvoja e saj se sa e rëndësishme është të inkurajohen aspiratat integruese në NATO edhe të vendeve të tjera të rajonit. Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia dhe Kosova janë aktualisht 4 vendet që nuk bëjnë pjesë në hartën e NATO-s e që për pasojë mund të mendohen si pjesë e këtij projekti të zgjerimit të ri të Aleancës. Lidhur me këtë ka tanimë një artikulim të qartë nga vendet përkatëse, përfshi edhe Serbinë, për një aderim në NATO, pavarësisht rezistencës dhe luhatjes politike që ka si premisë historikun e këtyre 20 viteve të fundit. Nga ana tjetër, Rasmussen ka falënderuar Shqipërinë për angazhimin e vet në misionin e aleancës në Afganistan në kuadër të të cilit Meta ka ritheksuar shtimin e personelit shqiptar me 85 trupa. “është bërë publike prej disa kohësh një kontribut shtesë në personel prej 85 vetash. Njëkohësisht në përputhje me përqasjen gjithëpërfshirëse, ne jemi të angazhuar edhe për rindërtimin e 8 shkollave në Afganistan dhe kemi ofruar 100 bursa për studentë afganë, duke filluar nga ky vit”, tha Meta. Duke adresuar shqetësimin për situatën rajonale, Rasmussen ka nënvizuar momentin delikat në Kosovë, për të cilën ka vlerësuar se reduktimi i trupave të KFOR-it do të bëhet në një periudhë të dytë.
#