Shqipëria kremton 20-vjetorin e revolucionit që shembi diktaturën e Bllokut

Heronjtë e 2 korrikut gjunjëzuan në rrugët e Tiranës diktaturën më barbare të Europës. Në sheshin e Qytetit “Studenti”, të rinj, por edhe dëshmitarë të 2 korrikut të 1990 festuan ecjen vigane të atdheut të tyre, që, nga Kuba e Adriatikut është shndërruar në një anëtare të NATO-s dhe një kandidate për anëtare të BE-së Berisha: Vijmë në këtë 20 vjetor të Shqipërisë së lirë, me Shqipërinë që ndryshon në shekuj nga ajo e vitit 1990.
Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje gjatë një mitingu madhështor në Qytetin Studenti, veprën e të rinjve dhe të rejave, të cilët 20 vite më parë, “prenë” zinxhirët e regjimit më të egër që kishte njohur ndonjëherë njerëzimi, pas Luftës së Dytë Botërore. Përmes një takimi me studentë dhe studente, Berisha tha se “kurajoja dhe guximi juaj bënë që në Shqipëri të binte përfundimisht perdja e hekurt”. “2 korrik 1990-të Shqipëria do të fitonte lirinë dhe dinjitetin e saj, do të shembte “Murin e Berlinit”, që e mbante atë jashtë botës së lirë dhe demokratike”, u shpreh kryeministri Berisha. Sipas tij, Shqipëria erdhi në vitin 90-të, atëherë kur një pjesë përjetonte skllavërinë dhe pjesa tjetër ishte transformuar nga qenie njerëzore në qenie shtetërore. “Në një kohë kur për shqiptarët pothuajse nuk besonte se do të merrnin guximin për të hedhur mënjanë shtypjen njerëzore. Djemtë dhe vajzat, me një guxim të pashembullt, shndërruan rrugët dhe sheshet e qytetit në një betejë vendimtare për liri dhe dinjitet. Për ditë të tëra, ata vazhduan sulmin e tyre drejt botës së lirë. Ata ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë, furnitorë, mekanikë, marangozë, hidraulikë, të papunë, por që të gjithë ishin kreshnikë të vërtetë në guximin e tyre. Të gjithë ata së bashku, u ngritën në një guxim dhe trimëri të paparë. U dhanë zemër shqiptarëve që përjetonin tmerret, i dhanë mesazhin Evropës dhe Botës se ky komb nuk ka të ndalur, se ky komb është i gatshëm për çdo sakrificë për liritë dhe të drejtat e tij. Ata me aktet e tyre të burrërisë, i dhanë shpresë këtij populli të pashpresë. I dhanë zemër dhe trimëri njerëzve të cilët, u ishte kallur frika dhe tmerri deri në palcë, u dërguan atyre thirrjet për t’u ngritur njëlloj si popujt e tjerë të Evropës, për t’u çliruar nga tirania komuniste”, deklaroi para mijëra të rinjve në Qytetin Studenti, kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë tha se guximi i pashembullt i të rinjve që me guximin e tyre u futën në dyert e ambasadave të huaja, mposhti makinerinë vrastare shtetërore të udhëheqësve komunistë, pavarësisht se ishte një betejë e pabarabartë. Në këtë aspekt, kryeministri nderoi të riun Artin Basha, i cili u ekzekutua nga forcat e sigurimit të nomenklaturës. “Ju burrat dhe gratë, djem dhe vajza, që me vetëdije të plotë në vitin ‘90-të u vërsulët drejt ambasadave të vendeve të lira. Nuk e dinit, nuk kishit siguri se do të arrinit botën e lirë apo natën e përjetshme, siç e pësoi i pavdekshmi Agim Pasha, që ra mbi muret e ambasadave që vetëm e vetëm, për t’u bërë i lirë. Me 2 korrik, në një betejë të pabarabartë, të rinjtë dhe të rejat e Tiranës, mposhtën regjimin dhe diktaturën, ata u përcollën në vende të tjera. Regjimi montoi makinerinë e vet të shpifjes, dhunës dhe territorin. Sërish nisi burgjet, nisi torturat, persekutimin. Ngriti de facto Murin e Berlinit, por flaka e Lirisë që ndezën heronjtë e 2 korrikut nuk pushuan kurrë. Vetëm pak muaj më vonë, këtu në këtë shesh në dhjetor të 90-ës do të shpërthente uragani i fuqishëm i lirisë, nga zemrat e studenteve dhe studentëve shqiptarë. Uragani, nën udhëheqjen e Azem Hajdarit, në këtë qytet do të themelonte pluralizmin politik, Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe do marshonte drejt zemrave të shqiptarëve. Flladi i lirisë do zhdukte regjimin më të egër. Regjimin të cilin Evropa do ta cilësonte si regjimin e Hitlerit të pas Luftës, regjimin e Enver Hoxhës. Sot ne përulemi me nderim të madh para heronjve të 2 korrikut, guximtarëve, trimave që shkatërruan dyert, për lirinë e Shqipërisë”, tha Berisha. Duke iu referuar plot 20 viteve nga ngjizja e pluralizmit në Shqipëri, Berisha tha se vendi është shekuj larg atyre viteve të zeza. “Sot ne festojmë së bashku me ta, me një krenari legjitime, sepse Shqipëria që nisi marshimin e lirisë në 90-ën, sot pas 20 vitesh, është jo dekada, por shekuj larg Shqipërisë së 20 viteve më parë. Vendi që renditej i 3-ti apo i 4-ti në botë për skamje dhje mjerim, është shkëputur sot përfundimisht nga grupi i vendeve të varfra dhe ka aktualisht nj prej ekonomive më të qëndrueshme, më dinamike, më entuziaste në rajon dhe Evropë. Vendi që 20 vite më parë ishte i zhytur në izolimin më të thellë, nderon sot bijtë e saj si vend anëtarë i NATO-s si vend që ecën i sigurt drejt integrimit evropian. Vendi që 20 vite më parë ishte i rrethuar me tela me gjemba, sot është në prag të lëvizjes së lirë pa viza, të qytetarëve në mbarë Evropën. Vendi që 20 vite më parë ishte vendi i lirive të dhunuara, sot është vendi i zgjedhjeve të lira, i shtetit ligjor, i të drejtave të njeriut dhe me shpresë dhe besim të madh tek e ardhmja, dhe me shpresë e besim tek Evropa. Ky 20 vjetor na fton të gjithëve të bashkohemi, për të shndërruar sa më parë në realitet ëndërr tonë evropiane, idealet tona evropiane”, deklaroi më tej, kryeministri Sali Berisha. Në përfundim shefi i ekzekutivit Sali Berisha përshëndeti të rinjtë, duke marrë prej tyre mesazhin e qartë, për një Shqipëri të ndryshuar dhe të denjë për renditjen përkrah vendeve të demokratizuara evropiane, e cila mund të realizohet vetëm nëpërmjet qeverisjes së Partisë Demokratike, partisë së vlerave të lirisë dhe dinjitetit.
Mitingu në Qytetin Studenti Nën kujdesin e kryeministrit të vendit Sali Berisha dhe drejtorit të Qytetit Studenti Bujar Brovina, u zhvillua dje në Qytetin Studenti një koncert festiv, me rastin e 20 vjetorit të shembjes së regjimit komunist. Shefi i ekzekutivit informoi në fillim të kësaj jave, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Demokratike, mbi zhvillimin e këtij mitingu, për nderimin e veprës së çmuar të atyre mijëra të rinjve që nënshtruan përmes një beteje të pabarabartë makinën shtetërore komuniste. Zhvillimi i këtij rasti festiv korrespondon edhe me progresin e demonstruar nga vendi gjatë viteve të fundit, ndërsa vetëm pas 2 muajsh shqiptarët dhe në veçanti të rinjtë do kenë të gjitha mundësitë për të lëvizur të lirë në “Schengen” dhe njëherazi Shqipëria përmes votëbesimit të Bashkimit Evropian, merr statusin e vendit kandidat, brenda vjeshtës së këtij viti.
Ngjarjet e 2 korrikut 1990-ë Disa mijëra të rinj shqiptarë zhvilluan në Tiranë më 2 korrik të vitit 1990 një protestë të veçantë kundër diktaturës komuniste. Rreth 5 mijë qytetarë kapërcyen muret rrethues të ambasadave perëndimore dhe kërkuan masivisht strehim politik, mbrojtje dhe largim nga shteti më i izoluar komunist i Europës. Me aktin e tyre të guximshëm ata shënuan revoltën më të madhe antikomuniste të qytetarëve shqiptare kundër diktaturës qe zgjati mbi 40 vjet me dhunë, vrasje dhe varfëri.
...