E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria “lan duart” me mafiozin Prudentino

12/01/2011  Interpoli ekstradon në Itali bosin e Sacra Cornona Unita, të kapur në Vlorë

Nuk arrihet t’i provohet në Shqipëri akuza e “pastrimit të parave”

TIRANË- Drejtësia shqiptare “lan duart” njëherë e mirë me Albino Prudentinon, bosin e Sacra Corona Unita, të kapur në Vlorë, duke e ekstraduar atë drejt Italisë, me kërkesë të këtij shteti. Kështu mbyllet përfundimisht kapitulli i njërit prej personave më të kërkuar në Itali, teksa pastrimi i parave në Shqipëri mbeti një çështje sprove që rezultoi krejtësisht e paprovuar, në embrion si praktikë hetimore dhe komplet diletante në dukje. Ndoshta presionet e shumta për ta ekstraduar patjetër në Itali dhe kërkesat e njëpasnjëshme të avokatit dhe familjarëve kanë ndikuar tek prokurorët e gjykatësit shqiptarë që të “mos i hynin punës me themel” për t’i provuar atij pastrimin e parave në kazinotë që vetë Prudentino kishte inauguruar apo qendrat e basteve të sportit. Kështu, burimet zyrtare të Policisë së Shtetit thanë se nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana dje më datë 11.01.2011, në orën 06.00, në aeroportin e Rinasit, u krye ekstradimi drejt Romës së Italisë i shtetasit italian, Albino Prudentino, 59 vjeç, lindur në Ostuni të Brindisit, person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga organet italiane të drejtësisë. Policia shton se “Ky shtetas ishte një nga drejtuesit e organizatës kriminale mafioze, “Sacra Corona Unita”. Ndaj shtetasit Albino Prudentino gjykata e Leçes/Itali, ka lëshuar urdhrin e arrestit të datës 20.09.2010, për “bashkëpunim kriminal i tipit mafioz”, “trafik droge”, si dhe “grabitje në rrethana rënduese”, vepra të parashikuara nga Kodi Penal italian. Ky shtetas gjatë viteve 2005 deri më 2009, në Mesagne, Ostuni dhe në rrethinat e Brindisit, ka marrë pjesë në një organizatë kriminale e tipit mafioz, me qëllim trafik droge dhe grabitje në rrethana rënduese. Shtetasi Albino Prudentino është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, dhe më datë 28.09.2010 është arrestuar në Shqipëri, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, në kuadër të operacionit të koduar “Calipso” organizuar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme, si dhe në koordinim me karabinierinë e Leçes dhe Prokurorinë Distretuale të Antimafies Leçe/Itali”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›