E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria lobing për të mbuluar qiellin e Kosovës

TIRANE - Në pamundësi për të shfrytëzuar vetë hapësirën e lartë ajrore, mbi 10 mijë metra, Kosova i është drejtuar së fundmi Shqipërisë për t'u bërë aktore kryesore në menaxhimin e këtij korridori, me një fluks të konsiderueshëm fluturimesh. Hapësira ajrore e Kosovës, që në vitin 1999-të, sipas një marrëveshjeje me Republikën e ish-Jugosllavisë, gjendet nën kontrollin e Nato-s. Ajo i dha forcës ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-it, të drejtën që të kontrollojë këtë hapësirë dhe të ngrejë një Zonë Ajrore të Sigurtë, status që po ndryshon së fundmi, me stabilizimin e rajonit.
Aktualisht Kosova po diskuton mbi mundësinë e hapjes të hapësirës së lartë ajrore dhe situata ideale do të ishte, që Shërbimet e Lundrimit Ajror të Kosovës të marrin kontrollin e hapësirës së lartë ajrore, gjë që është e pamundur për shkak të kundërshtimeve nga vendet që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, në mënyrë të veçantë Spanja. Për këtë qëllim është menduar të krijohet një periudhë tranzicioni, gjatë të cilës Kosova do të mbështetet nga një vend partner, nën mbikëqyrjen e NATO-s, për të ofruar shërbimet e lundrimit ajror.

Sipas Denion Ndrenikës, specialist i marrëdhënieve me jashtë dhe me mediat pranë Autoritetit të Aviacionit Civil Shqiptar, Spanja i referohet rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e cila e konsideron Kosovën territor të Republikës së ish-Jugosllavisë, duke e privuar nga e drejta për të shfrytëzuar lirisht hapësirën e vet ajrore. Ndrenika shpjegon, se në pamundësi për ta shfrytëzuar lirisht hapësirën ajrore, po punohet që Shqipëria të fitojë rol të dorës së parë në menaxhimin e saj, gjë që po përpiqet ta bëjë duke përfshirë në lojë Maqedoninë e veçanërisht Hungarinë, e cila ka paraqitur interes për bashkëpunimin në këtë kuadër.
Për këtë qëllim, në Tiranë, gjatë muajit nëntor u zhvillua forumi ndërkombëtar me sugjerimin e NATO-s, me temë hapjen e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës. Takimi u organizua me sugjerimin e NATO-s. Në takim morën pjesë zyrtarë të NATO-s dhe të aviacioneve civile të Shqipërisë, Kosovës, shtetit maqedonas dhe Hungarisë. NATO sugjeroi që vendet të paraqesin sqarime zyrtare mbi dëshirën për t'u angazhuar me Aleancën Veriatlantike në hapjen e hapësirës së sipërme të Republikës së Kosovës. Drejtori i Aviacionit Civil të Shqipërisë, Ervin Mazniku shprehu gjatë takimit në fjalë interesimin e vendit anëtar të NATO-s, Shqipërisë, për të qenë kandidat për menaxhimin e hapësirës ajrore të Kosovës.
Përfaqësuesit e aviacioneve civile të Hungarisë, shtetit maqedonas dhe Kosovës paraqitën me detaje teknike elementët e mundshëm për të shkuar drejt një rezultati. Sakaq, sipas zotit Mazniku, Shqipëria ka një pozicion mjaft pozitiv. "Besojmë se do t'i qëndrojmë skenarit tonë teknik, sa i përket ofrimit tonë si kandidati potencial më i pranueshëm, sa i përket gjithashtu menaxhimit të hapësirës ajrore të Kosovës",- shtoi drejtori Mazniku. Në takimin e ardhshëm të Normalizimit të Hapësirës Ajrore të Ballkanit, pritet të dilet me rekomandime për Këshillin e NATO-s mbi ofrimin e shërbimeve për rrugët e trafikut në hapësirën e sipërme ajrore të Kosovës. Drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj tha gjatë atij takimi, se takimi synon të mbështesë nismën për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit të udhëhequr nga NATO, si dhe hapjen e hapësirës së sipërme ajrore të Kosovës. "Hapësira e lartë ajrore e Kosovës është e mbyllur për mbikalime që nga viti 1999-të. Ne jemi duke punuar ngushtë me NATO-n, me partnerë të tjerë dhe mbi të gjitha, natyrisht, me Autoritetin e Aviacionit Civil të Shqipërisë. Jemi në rrugë të mirë për të gjetur një zgjidhje që është politikisht, teknikisht dhe praktikisht e pranueshme. Do të bëjmë shkëmbim të kapaciteteve teknike, për të ndihmuar hapjen sa më të shpejtë dhe të lehtë të hapësirës së lartë ajrore të Kosovës për mbikalime.",- tha ai. Një takim tjetër me këtë temë u mbajt më 5 dhjetor në Bruksel.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›