E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, marrëveshje me Brazilin për heqjen e vizave dhe rritjen e bashkëpunimit ekonomik

29-10-2011 / Gazeta 55

Në kuadër të vizitës zyrtare në Brazil, zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, u prit në një takim të veçantë nga Ministri i Punëve të Jashtme të Brazilit, Ambasador Antonio de Aguiar Patriota. Gjatë takimit u diskutua mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe, zhvillimet globale dhe në rajonin e Ballkanit.
Para takimit zyrtar, ministri Haxhinasto dhe Patriota nënshkruan katër marrëveshje dhe memorandume: marrëveshja për heqjen e vizave midis dy vendeve, marrëveshja e bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, memorandum mirëkuptimi midis dy Akademive Diplomatike për bashkëpunim reciprok dhe trajnim të diplomatëve, si dhe memorandumin për bashkëpunimin ekonomik.
Në takim. Haxhinasto, duke iu referuar Kosovës tha se pavarësia e saj ka forcuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në gjithë rajonin e Ballkanit. Kosova duhet të jetë, tha ai, një çështje që të afrojë më tepër vendet e rajonit dhe jo një çështje ndarjeje. Më tej, ai tha se vlerëson mbështetjen e Brazilit për të pasur një rajon, vendet e të cilit ndajnë një të ardhme të përbashkët.
Nga ana e tij Patriota tha se vlerëson se tepërmi integrimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit tonë dhe përshëndeti faktin që të gjitha këto vende po lëvizin në të njëjtin drejtim, gjë e cila do të sjellë ndryshim të rëndësishëm në rajon e më gjerë.
Në takim, dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se mundësitë për të forcuar bashkëpunimin ekonomik janë të mëdha. Disa nga fushat e identifikuara ishin: energjia e rinovueshme, turizmi, prodhimet bujqësore, tregtia, burimet minerare, etj. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto vazhdon vizitën në Brazil me Forumin e biznesit shqiptaro-brazilian, i cili do të mbahet në Sao Paolo.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›