E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çertifikohet edhe shpifësi pestë i Edvinit, është 7 milionëshi i Librazhdit

29-10-2011 / Gazeta 55

Taulant Balla certifikohet si shpifës me vlerën 7 milionë lekë. Ai shoqëron listën e përbërë nga Artan Gaçi, Ermonela Felaj, Eduard Shalësi e Saimir Tahiri, dhe kristalizon fytyrën e re të lidershipit të PS-së

Formula se çdo shpifës do jetë anëtar kryesie i PS si dhe do ketë në ngarkim funksione të rëndësishme në parti, duket se po funksionon.
Patentën e shpifësit e ka marrë edhe Taulant Balla, bashkë me një gjobë prej 7 milionë lekësh, për shpifje. Gjykata e Tiranës ka marrë në shqyrtim dje, padinë e zëvendësdrejtorit të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili akuzonte deputetin socialist, për shpifje dhe cenim të imazhit.
Gjyqtarja Rozeta Vigani mori në shqyrtim çështjen në ngarkim të Ballës, duke e dënuar atë me gjobë prej 700 mijë lekë të reja. Balla duhet t’i paguajë tashmë Kuliçajt 700 mijë lekë të reja dëmshpërblim, për akuzat e hedhura një muaj më parë. Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës së Tiranës, thuhet se akuzat e Taulant Ballës janë të pabaza dhe se kanë tentuar të dëmtojnë publikisht figurën e Agron Kuliçaj. Pas vendimit të Gjykatës, ka reaguar edhe vetë nëndrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, i cili deklaroi se “me këtë vendim drejtësia u vendos në vend”.
“Gjykata vendosi në vend drejtësinë, vendimi u bazua në prova e fakte. Unë nuk kam të bëj me akuzat e Ballës, nuk kam qenë pjesë e hetimeve nga prokuroria”, u shpreh Kuliçaj. Por, telashet për Ballën nuk mbyllen këtu, pasi për të në Gjykatën e Tiranës, është depozituar një padi penale nga deputetja Albana Vokshi dhe ministri për Teknologjinë dhe Inovacionin, Genc Pollo. Çështjet ende s’janë marrë në shqyrtim, por të pakta janë gjasat që Taulant Balla t’ia hedhë pa u gjobitur, për shpifjet e adresuara ndaj deputetëve dhe ministrave.
Në proces gjykimi për akuza, shpifje dhe përbaltje ndaj deputetëve të mazhorancës janë dhe deputetët Erjon Braçe, Eltar Deda dhe Vasilika Hysi. Pas gjobës që morën deputetët Artan Gaçi, Ermonela Felaj, Eduard Shalësi dhe Sajmir Tahiri, për akuza të paqena ndaj homologes së tyre demokrate, Albana Vokshi, Ramës i është zgjatuar lista e shpifësve dhe mashtruesve publikë, teksa deputetët e paditur janë aq shumë sa e taj kalojnë numrin e përbërësve të kryesisë së PS.
Ky është edhe halli që ka pllakosur lidershipin socialist, i cili po mendon t’i sistemojë disi të gjithë shpifësit me emërimin në kryesi, ose edhe në poste të rëndësishme partiake nga sekretariati e deri te drejtues të forumeve të ndryshme.

Lista e “deputetëve shpifës”, të dënuar
Artan Gaçi
Ermonela Felaj
Eduard Shalësi
Sajmir Tahiri
Taulant Balla

Kandidatët për “certifikatën e shpifësit”
Erjon Braçe (I paditur nga Albana Vokshi)
Vasilika Hysi
Taulant Balla (I paditur nga Albana Vokshi dhe Genc Pollo)
Eltar Deda

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›