“Përmbarimi në sistem të plotë privat, i suksesshëm në uljen e korrupsionit”
Reforma në Drejtësi, flet Juris Avontis, Këshilltari Ndërkombëtar për Reformat i ministrit të Drejtësisë
Ministria e Drejtësisë ka nisur reformën në sistemin përmbarimor në vend. Kjo do të thotë se në fund të vitit 2013 në Shqipëri do të finalizohet sistemi i plotë të përmbaruesve privat dhe përmbarimi shtetëror nuk do të ekzistojë më.
Këshilltari Ndërkombëtar për Reformat i ministrit të Drejtësisë, Juris Avontis, ka deklaruar se në vendin tonë ky proces po realizohet në mënyrë të zbutur dhe graduale. Gjatë një periudhe dy vjeçare, Avontis ka studiuar sistemin e dyfishtë që aktualisht ka vendi ynë dhe në analizën e tij shprehet se kthimi i sistemit përmbarimor vetëm në privat ka 3 përfitime kryesore.
“Përfitimi kryesor është racionalizimi i buxhetit të shtetit, sepse i gjithë buxheti që shkonte për funksionimin e përmbarimit shtetëror tani do të ngelet në buxhetin e shtetit, pasi kostoja për zgjidhjen e çështjeve do të shkojë në zero. Përfitimi tjetër është ulja e riskut të korrupsionit në masën 90 për qind dhe përfitimi i tretë është rritja reale e efektivitetit të përmbarimit në mbledhjen e borxheve të sektorëve por edhe në ekzekutimin e urdhrave të gjykatës”, u shpreh Avontis.
Sipas tij, 2 vite më parë kostoja në vendin tonë ka qenë 20 herë më i lartë se në vendet e tjera europiane dhe ngarkesa e punës ishte 15 herë më e vogël. Ndërsa me futjen e përmbarimit privat në Shqipëri kjo kosto jo vetëm ka ardhur duke u ulur por edhe zbatueshmëria e urdhrave nga gjykatat ka qenë më e lartë. Këshilltari Ndërkombëtar për reformat i Ministrit të Drejtësisë thotë se për suksesin e këtij procesi ka tre elementë bazë për të cilët përmbarimi privat ka nevojë.
“2-3 vitet e para janë shumë të vështira ndaj dhe shteti duhet të ndihmojë përmbaruesit: me trajnimet profesionale të vazhdueshme të specialistëve në rritjen e tyre profesionale, me një bazë të dhënash të sofistikuara dhe me ngritjen e instrumenteve efektivë për mbledhjen e e borxheve. Ne si ministri këto dy vite po monitorojmë sistemin e dyfishtë. Kjo periudhë është shumë e rëndësishme për dy tipet e specialistëve. Përmbaruesit privatë duhet të tregojnë efektivitet të lartë në sasinë e madhe të borxheve të mbledhura dhe shpenzime zero nga buxheti i shtetit, ndërsa përmbaruesit shtetëror duhet të tregojnë konkurrencë me kolegët privatë dhe të përgatiten për kandidatura të reja për vendet e paplotësuara”, tha më tej ai.
Përvoja botërore e vendeve të zhvilluara ka treguar se kalimi i sistemit të dyfishtë përmbarim shtetëror – përmbarim privat në sistem të plotë privat është i suksesshëm në uljen e korrupsionit, por edhe në kursimin e buxhetit të shtetit, dy prioritet të qeverisë shqiptare.