E Shtunë, 31 Tetor 2026

“PS po bën opozitë me parti të djathta”

29-10-2011 / Gazeta 55

Arben Malaj, deputet i PS-së: “Sajmir Tahiri ka uzurpuar Kombinatin”

Anëtari i kryesisë së Partisë Socialiste dhe njëherazi deputet i kësaj force politike, Arben Malaj, duke iu referuar incidentit të dy ditëve më parë në Kuvend, me Sajmir Tahirin, tha se asnjë ligjvënës s’duhet ta cilësojë zonën e tij elektorale, si pronë private. Për Malajn, Tahiri e ka kthyer lagjen e Kombinatit në çiflig të tij, dhe tenton të prishë takimet e deputetëve me mbështetës dhe simpatizantë politik.
“Asnjë deputet nuk mund të mendojë se zona e tij elektorale, është pronë e tij. Kombinati është njësi territoriale e qytetarëve të saj dhe nuk është e Sajmir Tahirit”, tha Malaj.
Gjatë një interviste televizive, deputeti Malaj komentoi edhe bashkëbisedimin e fundit “Për Modernizimin e PS”, te Akademia e Arteve, ku deklaroi se ka një protestë të socialistëve për rikthimin e lirisë në Partinë Socialiste. Ai cilësoi si të gabuar politikën e përjashtimit dhe përndjekjes së figurave themeluese të PS. Një pjesë e mirë e tyre, u përfaqësuan dje në takimin e Malajt, ku edhe u iniciua Lëvizja e Re.
“Dikur, PS mbahej si një parti me forume të lira dhe demokratike, dhe një stil drejtues i lakmuar edhe nga kundërshtarët politikë, ndërsa që para zgjedhjeve të 28 qershorit e gjer më tani, liria brenda kësaj partie ka qenë në pikëpyetje”, tha Malaj.
Sipas tij, Rama dhe njerëz të tij, akuzojnë LSI-në se po qeveris me një parti të djathtë, në një kohë kur është vetë PS që po bën opozitë me parti të djathta.
“Për më tepër, në pikëpyetje ka qenë edhe vetë ideologjia e kësaj partie, pasi ka dhënë shpesh shenja politikash të djathta, si edhe një prezantim konfuz ndaj elektoratit, pasi teksa akuzon LSI se po qeveris me një parti të djathtë, vetë po bëjnë opozitë me parti të djathta”, theksoi më tej, deputeti Arben Malaj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›