Reformën në Drejtësi e diskutojmë në Parlament, jo në takime private
Tritan Shehu, rezerva për tryezën e Edi Ramës
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, shprehu rezerva për tryezën e djeshme të organizuar nga Partia Socialiste. Ai tha se takimi i organizuar nga Edi Rama, më shumë është provokative, sesa një nismë produktive në drejtim të përshpejtimit të reformës.
“Të hedhim në një moment të tillë në mënyrë të njëanshme iniciativa të tilla, më duket provokative, jo me dëshirën e mirë për të zgjidhur situatën, përkundrazi për të komplikuar situatën, ndërkohë që ka ca sinjale që po shkon drejt një zgjidhjeje”- tha Shehu në një reagim për mediat. Ai tha se diskutimet për një çështje kaq të rëndësishme dhe delikate, mund të zhvillohen vetëm në komisionin parlamentar të ligjeve. “Shumë gjëra mund të diskutohen e zgjidhen në Komisionin e Ligjeve që është vendi i vetëm dhe më i lartë me të gjitha kompetencat ligjore”, nënvizoi Tritan Shehu. Sipas deputetit demokrat iniciativa e PS është “partiake” dhe konferenca të tilla janë në nivelin e seminareve.