E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statistikat, 9 për qind e popullatës, probleme me mëlçinë

Një bazë të dhënash për pacientët e prekur nga hepatitet, sëmundjet që prekin mëlçinë, do të jetë pjesë e rrjetit të informacionit mbi problemet e popullatës sonë.

Instituti i Shëndetit Publik do të ketë së shpejti të dhëna të plota mbi prevalencën e hepatiteve në vend. Në vendin tonë njihen hepatitet A, B dhe C. Sipas specialistëve të ISHP-së, vaksinimi kundër hepatiteve është cilësuar si element i parë për parandalimin e tyre. Vaksinimi kundër Hepatitit A mbetet ende një problem që ka nevojë të marrë një zgjidhje, ndërkohë që në strategjinë e vaksinimit, e cila po rishikohet së fundmi nga strukturat shëndetësore, janë shtuar dhe disa skenarë në lidhje me vaksinimin kundër këtij hepatiti.

Hepatitet përfaqësojnë sëmundjet infektive më të përhapura në botë, ku janë të infektuar nga Hepatiti B 2 bilion njerëz në botë. Për Hepatitin C ka 170 milionë të infektuar në të gjithë botën dhe 20 mijë të infektuar çdo vit. Në 1991, kohë kur Organizata Botërore e Shëndetësisë iu drejtua vendeve të botës për të përfshirë vaksinimin kundër Hepatit B në programet kombëtare imunizuese, vendi ynë ka pasur një prevalencë prej 18 për qind të Hepatitit B, me të dhëna të përafërta me vendet e Azisë së largët. Në 1994 u morën masa për vaksinimin e detyrueshëm të fëmijëve të porsalindur, një strategji e konsideruar e suksesshme për luftën kundër Hepatit B, i cili në vendin tonë llogarit 9 për qind të të prekurve.

Duke mbetur në hapat e mbrojtjes së popullatës, strategjia e re kombëtare e imunizimit parashikon futjen e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›