E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet dyqani i fshatit, zhduken autorët



Lezhë - Thyhet dhe vidhet një dyqan në një fshat të Lezhës. Policia tha për gazetën se rreth orës 07:00, të mëngjesit të djeshëm, me anë të një telefonate në numrin 129, është njoftuar se në fshatin Grash të Komunës Dajç, të Lezhës, është vjedhur me thyerje dyqani ushqimor në pronësi të Lekë Lleshit, 30 vjeç, banues në këtë fshat. Në drejtim të vendit të ngjarjes janë nisur uniformat blu dhe është konstatuar se vjedhja ishte bërë duke sharruar hekurat e dritares. Grabitja, sipas të dhënave, është kryer gjatë natës nga persona ende të paidentifikuar. Ngjarja ka ndodhur pas orës 22:00, sipas pretendimeve të të dëmtuarit, ku janë vjedhur sende të ndryshme, kryesisht lodra fëmijësh.

Kreu aksident, ishte pa leje drejtimi të motoçikletës

Durrës – Një 16-vjeçar do të procedohet në gjendje të lirë. I. G., lindur dhe banues në Ishëm të Durrësit nuk rezultoi të kishte patentë ndërsa kreu një aksident. Adoleshenti, një ditë më parë, rreth orës 15:00, në rrugën Gjyricaj – Ishëm, pikërisht në vendin e quajtur Fushë Kërtushaj, në kohën kur drejtonte pa qenë i pajisur me dëshmi aftësie një motoçikletë 49 cc pa targa, është përplasur me një motoçikletë 49 cc pa targa të drejtuar nga I. Gj., 17 vjeç, banues në Ishëm Durrës. Si pasojë e përplasjes janë dëmtuar të dy drejtuesit e mjeteve nga të cilët shtetasi I. G. ndodhet në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa I. Gj., pas marrjes së mjekimit të nevojshëm, është larguar për në banesë pa probleme për jetën. U kryen veprimet e para hetimore lidhur me këtë ngjarje dhe materialet për veprat penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe drejtimit të mjetit pa dëshmi aftësie iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

8 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›