Shqipëria me rritje ekonomike 2%, eurozona në “rënie të dytë”

Ministri i Financave, Ridvan Bode
“Shqipëria do ketë një rritje ekonomike prej 2%, ndryshe nga eurozona dhe vendet fqinje të rajonit të cilat do vuajnë dhe një valë të dytë krize”. Deklarata vjen nga ministri i Financave, Ridvan Bode i cili jep një panoramë optimiste rreth situatës ekonomike në Shqipëri, në kushtet kur, siç u shpreh ai, vendet e eurozonës dhe rajoni, janë drejt “rënies së dytë”. Kreu i Financave e bazoi konstatimin e tij në trendin pozitiv që ofrojë treguesit ekonomikë siç janë privatizimet, rritja e investimeve të huaja dhe eksportet. “Vendet e rajonit drejt rënies së dytë në krizë. Italia drejt rënies ekonomike, bashkë me Greqinë. Përballë këtyre zhvillimeve, ne duhet ta shohim me pozitivitet atë që ndodh në ekonominë shqiptare. Rritja ekonomike do jetë rreth 2%. Pra, viti kapi minimumet e rritjes ekonomike. Përballë kësaj pamjaftueshmërie qeveria nisi një valë privatizimesh, të disa aktiviteteve që sot kryhen nga ndërmarrjet publike dhe që nuk prekin çështje strategjike. Ky është një stimul fiskal, pasi të ardhurat nga privatizimet janë nxitje e fuqishme për ekonominë. Jemi në një trend pozitiv, kjo dhe për faktin se investimet e huaja janë më të larta se një vit më parë, pra 29% më të larta se 2011-a. Eksportet po ashtu mbeten një bazë e mirë në grumbullimin e të ardhurave. Banka Botërore thotë se rritja ekonomike do jetë në 0.8%, por në analizat tona, rritja ekonomike për vitin 2012-ë do jetë në kufijtë e 2%-shit”- u shpreh Bode. Sa i takon borxhit publik, ministri i Financave tha se ai është në nivelet e tij normalë.