Masa, “burg pa afat” për vrasësin-grabitës
GJIROKASTËR - Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka vendosur masën e arrestit “burg pa afat” për 31-vjeçarin, Bilal Mehmeti, i cili akuzohet për vrasjen e 35-vjeçares Eleni Koka. Nëna e tre fëmijëve Koka, humbi jetën në mënyrë tragjike përpara syve të bashkëshortit, 2 kilometra larg rrugës kombëtare Jorgucat (Gjirokastër) – Sarandës gjatë 1997. Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Gjirokastrës, Gentian Mullaj, tha të premten se “pas vlerësimit të masës së arrestit, i ndaluari është dërguar në burgun e sigurisë së lartë në Bënçë”. Bilal Mehmeti, lindur dhe banues në Delvinë, i dënuar më parë për veprën penale “vjedhje me dhunë”, në bashkëpunim me bashkëmoshatarin e tij, Ilirjan Alinanaj (aktualisht vuan dënimin në burgun e Rrogozhinës, me 11 vjet, për veprën penale “vjedhje me armë”, nën kërcënimin e armëve kanë tentuar të grabisin automjetin ku udhëtonte familja e saj.
TIMS kap 37-vjeçarin, kërkohej për kontrabandë
GJIROKASTËR – Ishte shpallur në kërkim nga drejtësia për kontrabandë pijesh alkoolike ng Greqia në drejtim të Tiranës, por vetëm mbrëmjen e së enjtes është ndaluar nga policia, teksa po kalonte drejt shtetit fqinjë përmes pikës së Kakavijës. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se të enjten në mbrëmje, rreth orës 22.00, shërbimet e policisë kufitare të Stacionit të Policisë Kakavijë, gjatë përpunimit në sistemin TIMS, të shtetasve, të cilët udhëtojnë nga Shqipëria për në Greqi dhe anasjelltas, kanë konstatuar se shtetasi Fatos Muço Sheshi, lindur në Çorovodë dhe banues në Fier, ishte person i shpallur në kërkim. 37-vjeçari po udhëtonte nga Shqipëria për në Greqi me dokumente të rregullta. Ai është ndaluar pasi ishte i shpallur në kërkim nga policia e Gjirokastrës që më datë 19.05.08. Prokuroria e rrethit jugor me shkresë nr. 738, datë 30.04.2008, ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale "Kontrabandë me mallra të tjera". Në vitin 2004, Fatos Shehi, me kamionin e tij me targë FR 09 44 C, ka transportuar mallra kontrabandë për llogari të një firme që prodhonte pije alkoolike me qendër në Tiranë.
24 Maj 2008