E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendimi, burg për jetë për vrarësin e katërfishtë të familjes së vëllait



BERAT – Pas më shumë se dy vjetësh ka përfunduar procesi gjyqësor ndaj vrasësit të katërfishtë të vëllait dhe gjithë pjesëtarëve të familjes së tij, ku trupi gjykues shpalli fajtor Luan Marën, duke i dhënë dënimin maksimal. Dje në mesditë është zhvilluar seanca e fundit nën masa të rrepta sigurie, për vrasjen e ndodhur më datë 10 shkurt 2006 në fshatin Kozare. Luan Mara u shpall fajtor për vrasjen e vëllait të tij, Shpëtimit, 35 vjeç, gruas së tij shtatzënë, Flories dhe djali i tyre, Artiolit, 2 vjeç. Ata u gjetën të vdekur në kuzhinën e shtëpisë së tyre dhe vetëm në tetor të vitit 2006, policia ndaloi autorin e dyshuar të vrasjes, vëllanë e viktimës, Luan Marën. Në seancën e djeshme, ku trupi gjykues, ashtu si edhe në seancat e mëparshme, përbëhej nga Nazmi Troka, kryetar; Bernina Kondi dhe Agron Vavla, anëtar, - mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Dilaver Bengasi, i ka kërkuar trupit gjykues pafajësi për klientin. Sipas Bengasit, shtetasi Luan Mara është i pafajshëm sepse nuk disponohet asnjë element i provës që të fajësojë atë për krimin e vrasjes së familjes Mara. Trupi gjykues, pasi ka dëgjuar edhe mbrojtjen, është tërhequr për të marrë vendim dhe në përfundim ka lënë në fuqi kërkesën e prokurorit të çështjes, Artjan Bejo. Sipas pretencës, e cila u pranua edhe nga gjykata, Luan Mara është "deklaruar fajtor për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, të kryera ndaj fëmijës Artiol Mara, shtatzënës Florije Mara si dhe të vëllait të tij, Shpëtim Mara. Sipas Kodit Penal, ai është dënuar me "burgim të përjetshëm". Menjëherë pas dhënies së vendimit, familjarët dhe të afërmit e të pandehurit Luan Mara kanë protestuar në sallën e gjyqit, duke vazhduar më tej, edhe jashtë mjediseve të gjykatës. Ata kanë pohuar se vrasësi i vërtetë i familjes së Shpëtim Marës ndodhet i lirë dhe i armatosur, duke i kërcënuar çdo ditë me forma dhe mjete të ndryshme. Ata nuk kanë nguruar të thonë edhe emrin e vrasësit, që sipas tyre, “është Armando Mara”, i cili, -siç pohojnë ata, - kishte kërcënuar shumë herë përpara ngjarjes Shpëtimin, pasi mendohet se ai i kishte prishur një fejesë kushëririt.

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›