E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ditë e përgjakshme nëpër rrugë, 6 të vdekur në Lushnje e Vlorë



Dita e djeshme ka regjistruar ndër incidentet më të përgjakshme në rrugët e vendit tonë. Pas aksidentit të ndodhur në mëngjesin e djeshëm në kryeqytet, ku gjeti vdekjen presidenti i “Top Channel” dhe një person tjetër, edhe dy të tjera kanë ndodhur brenda pak orësh. Një rrufe ka goditur një makinë tip benz, me targa Tirane në aksin Rrogozhinë-Lushnje, e cila shkaktoi plagosjen dhe më pas vdekjen e katër të rinjve. Po dje, një automjet me pesë persona brenda ka dalë nga rruga në aksin Himarë – Vlorë, në hyrje të qytezës së Dhërmiut, duke shkaktuar 2 të vdekur dhe 3 të plagosur. Burime në Drejtorinë e Policisë së Vlorës bëjnë të ditur se shkak i aksidentit, ka qenë shpejtësia e mjetit.
Rrufeja vret 4 të rinj
Mjeti i 4 të rinjve, të cilët po udhëtonin paraditen e djeshme me makinën tip benz mercedes, me targa TR 76 73 M nga Rrogozhina drejt Lushnjes, është goditur nga një rrufe, e cila, më pas solli daljen jashtë rruge të tij. E gjitha kjo pati një bilanc tragjik në rritje, me katër të vdekur. Fillimisht ka gjetur vdekjen njëri nga të rinjtë; 20 vjeçarit Roland Muçaj, i cili po drejtonte automjetin. Tre të lënduarit e tjerë janë nxjerrë nga mjeti i dëmtuar tërësisht në pjesën e përparme. Ata kishin marrë plagë të rënda si pasojë e djegies së shkaktuar nga rrufeja dhe përplasjeve të njëpasnjëshme. Pak orë pas Muçajt, gjetën vdekjen edhe dy të tjerët nga Tirana; Eduart Vrapi dhe Admir Vladi të cilët ndërruan jetë më pas në spital. Në orën 17.00 të pasdites së djeshme, bilanci tragjik u rrit sërish, pasi u nda nga jeta për shkak të plagëve të marra dhe 18-vjeçari Endri Shurdhi. Sipas veprimeve të para të policisë në vendngjarje dhe dëshmive të marra, mendohet se shkak për këtë aksident të jetë bërë humbja e kontrollit të drejtuesit, pasi makina është goditur nga një rrufe si dhe terreni i lagësht, duke përfunduar në një kanal anës rrugës në rreth-rrotullimin e Cermës. Identiteti i viktimave fillimisht ka qenë i vështirë për tu mësuar për vetë faktin se nuk kanë patur mjete identifikimi më vete. Por gjatë orëve që njëri nga të plagosurit ishte ende në jetë, ai ka mundur të tregojë emrat e të gjithë udhëtarëve në makinën e goditur nga rrufeja.
Dy të vdekur nga shpejtësia
Lagështira në rrugë, e shkaktuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që ranë gjatë paradites së djeshme, dhe shpejtësia, janë bërë shkas për një tjetër aksident tragjik që ndodhi në Dhërmi. Pesë pjesëtarët e familjes Gjini po udhëtonin në aksin rrugor Himarë-Vlorë, ku mjeti i tyre ka dalë nga rruga. Burimet zyrtare të policisë së Vlorës bëjnë të ditur se aksidenti ndodhi në orën 14.10 në afërsi të qytezës së Dhërmiut. Për pasojë, humbën jetën Ardi Gjini, 38 vjeç dhe Eleni Gjini 61 vjeçe. Në automjet ndodheshin edhe tre shtetas të tjerë, mes të cilëve dhe një fëmijë, pjesëtarë të së njëjtës familje, që janë aksidentuar dhe ndodhen në spitalin e Vlorës. Policia ka mbërritur në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë. Sipas policisë, mësohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shpejtësisë dhe lagështirës në rrugë. Viktimat e regjistruara dje rrisin ndjeshëm numrin e të vdekurve në aksidentet rrugore në vendin tonë.

VIKTIMAT E AKSIDENTEVE

Roland Muja, 20 vjeç, i vdekur – Lushnje
Eduard Vrapi, 20 vjeç, i vdekur – Lushnje
Admir Vladi, 21 vjeç, i vdekur – Lushnje
Endri Shuli, 20 vjeç, i vdekur – Lushnje
Ardi Gjini, 38 vjeç, i vdekur, Dhërmi
Eleni Gjini 61 vjeçe, e vdekur, Dhërmi

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›