E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjenerali Bahja: "Gërdeci” është raportuar çdo ditë te Mediu

Përgjegjësit e tragjedisë mund të nxirren duke konsultuar urdhrat e dhëna. “Kam dërguar municione në Gërdec, sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes”

“Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kryeministri dhe presidenti kanë pasur relacione të detajuara në tavolinë për municionet e Gërdecit”. Këtë fakt e pohon gjenerali Zija Bahja, i ngarkuar me dërgimin e municioneve në Gërdec dhe qytetet e tjera ku ka depo armatimesh. Ai u radhit në listën e personave përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Deri tani gjenerali nuk ka sqaruar për asnjë moment pozicionin e tij në lidhje me këtë ngjarje. Për herë të parë në një intervistë për Vizion Plusin ai shprehet se raportet e detajuara u janë dërguar autoriteteve zyrtare në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Kryeministri. Tri javë pasi ka marrë urdhrin e shkarkimit nga detyra nga ministri i ri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, Bahja hedh dyshimin se këto dosje raportuese mund të mos jenë konsideruar si relacione rutinë. Megjithatë, nëse e pyet sot se a ka një fajtor Gërdeci, gjenerali e ka një përgjigje. Ai tregon se përgjegjësit e tragjedisë së Gërdecit mund të nxirren shumë lehtë duke konsultuar urdhrat e dhënë e duke parë se kush i ka zbatuar dhe kush jo. Ndër këto urdhra me rëndësi, në fakt janë dy të cilët janë nxjerrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe në njërin prej tyre parashikohet se MEICO duhet të kontrollojë kushtet e sigurisë të fabrikës së demontimit.

Si e njihni Gërdecin?
Unë jam oficer i vjetër i Forcave të Armatosura dhe kam gati 31 vjet që shërbej në Forcat e Armatosura. Kuptohet se Gërdecin e njoh si ish-brigadë artilerie kur ne inspektonin e të tjera me radhë. Ndërsa tani, për sa kohë kam ardhur nga një shërbim diplomatik i gjatë në detyrën e komandantit të Forcave të Komandës Mbështetëse, dhe kuptohet që kam qenë i angazhuar për të dërguar municione në Gërdec, kuptohet, sipas urdhrave të ministrit për çmontimin. Njëri prej tyre është ai numër 550 i prillit të vitit 2007 dhe tjetri numër 2044, që mban datën e 7 dhjetorit të vitit të kaluar. Komanda Mbështetëse menaxhon me anë të Brigadës Logjistike të gjitha rezervat e municioneve të Forcave të Armatosura, mjetet e transportit dhe kuptohet që në këtë kuadër ne do të na ngarkoheshin këto detyra. Pra ne duhet t’i ngarkonim, transportonim dhe shoqëronim municionet me masa të rrepta sigurie në verë e në dimër, në ngrica dhe temperatura të larta, dhe t’i dorëzonim me dokumente fletëdalje të jashtme për ndërmarrjen “MEIKO”. Veprimet e tjera pas kësaj janë të ndërmarrjes “MEIKO” dhe ajo më pas vepron sipas ligjeve në lidhje me kompanitë private me të cilat ajo ka kontrata sipas urdhrave të ministrit të Mbrojtjes dhe vendimeve të qeverisë. Dihet që Forcat e Armatosura vazhdojnë të veprojnë më urdhra të shkruar, por edhe me gojë. Të paktën në lidhje me Gërdecin janë zbatuar vetëm urdhra me shkrim të ish-ministrit të Mbrojtjes. Të gjitha procedurat që ka ndjekur komanda ime, sigurisht komandat e mia vartëse, pasi janë disa njësi financiare që varen nga Komanda Mbështetëse, ku secila ka detyrat e saj. Të gjithë urdhrat e ministrit janë përçuar te vartësit e mi gjithmonë sipas parametrave, kërkesave dhe detyrave që përcaktonin këto urdhra, kuptohet gjithmonë brenda misionit që ka Komanda Mbështetëse për të mbështetur me logjistikë, transport municionesh, me ruajtje e të tjera detyra në kuadër të Forcave të Armatosura.
Cila ishte detyra që kryente komanda juaj?
Kjo komandë me mjetet e saj rezulton të ketë transportuar më shumë se 30 mijë tonë municione dhe vetëm nga janari e derisa ndodhi ngjarja ka transportuar më shumë se 9 mijë e 500 tonë municione luftarake për demontim. Në rast se do të kishte ndodhur incidenti më i vogël qoftë në procesin e ngarkimit në depot e armatim municionit, qoftë gjatë transportimit apo edhe dorëzimit të tyre tek ndërmarrja “MEIKO”, kuptohet që kjo do të ishte përgjegjësia ime si komandant dhe po ashtu edhe e vartësve të mi. Po të gjeni neglizhencën më minimale qoftë në zbatimin e urdhrave të ministrit të Mbrojtjes, apo dhe eprorëve tanë të Shtabit të Përgjithshëm, atëherë kupton edhe përgjegjësinë që ka Komanda e Forcave Mbështetëse. Në të kundërt mund të ketë një interpretim me keqdashje. Mendoj se ai grumbullim i madh baruti për një kohë të gjatë nuk lejohet, bile presupozohet ose ashtu siç e kemi pasur në rregullim gjatë qitjeve me artileri, baruti asgjësohej. Kur bëhet fjalë për të tilla raste mendoj se baruti duhej të ishte larguar aty çdo 24 orë. Me sa di unë edhe MEIKO kështu e ka pasur kontratën me firmën private. Nëse do të ishte vepruar sipas kontratës, që firma “MEIKO” nuk ka mundur ta kontrollojë dhe zbatojë rigorozisht kuptohet se nuk do të kishte ndodhur asgjë.
Ju mendoni se keni vepruar sipas urdhrave?
Çdo gjë në ushtri bëhet me urdhër. Edhe për të shkulur një gozhdë nga një vend duhet të marrësh urdhër. Madje pas realizimit të urdhrit gjithmonë raportohet. Pra kjo që thashë bëhet gjithmonë, në çdo çast. Raportet kanë qenë ditore, pra që bëheshin çdo 24 orë dhe javore për punën e kryer gjatë javës dhe po ashtu çdo muaj, tre muaj e me radhë. Pra kuptohet që Forcat e Armatosura kanë një rregullsi të atillë që nuk mund të veprojnë ndryshe, pra ato funksionojnë në këtë aspekt në mënyrë precize.
Po ju a keni raportuar?
Unë di këtë që ministri dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm janë informuar rregullisht sipas standardeve të raportimeve që bëhen në Strukturat e Forcave të Armatosura. Është tjetër problem pastaj nëse është lexuar, i është kushtuar vëmendje, apo i ka mbytur rutina e punës dhe nuk i kanë kushtuar vëmendje marrësit e raportimeve. Kjo ka të bëjë me atë se sa korrekt janë me kryerjen e detyrave të tyre funksionale të tjerët. Po të analizosh të gjitha procedurat administrative që janë ndjekur për përpilimin e urdhrave dhe pastaj se si janë zbatuar urdhrat në terren del fare mirë përgjegjësia. Në rastin konkret, pra në rastin tim, unë jam Komandant i Komandës Mbështetëse dhe në bazë të zbatimit të atyre urdhrave del përgjegjësia ime. Nëse unë do të kisha përgjegjësi të ruaja, apo të siguroja, pra të mbikëqyrja procesin e demontimit, kuptohet se edhe unë do të isha përgjegjës. Por kur mua një urdhër i tillë nuk më është dhënë, por më është thënë thjesht të transportoja municionet nga depot e mia dhe t’ia dorëzoja ndërmarrjes “MEIKO” në territorin e Gërdecit, kjo do të thotë se nuk është përgjegjësia ime. Mendoj se kjo është përgjegjësia e ndërmarrjes “MEIKO” dhe të gjitha aktorëve të tjerë që janë marrë me këtë proces. Ata që i kanë formuluar urdhrat pastaj ndoshta duke mos e parë mundësinë reale të njërit apo të tjetrit institucion që më ngarkuan mua atë detyrë, ata janë prapë bashkëpërgjegjës.
A jeni njohur me deklaratën e ministrit të Mbrojtjes?
Po i kam dëgjuar deklaratën e ministrit të Mbrojtjes dhe mendoj se është një deklaratë e papërgjegjshme. Normalisht nuk e di se me sa tone e ka thënë ministri Oketa atë deklaratë, por është për t’u habitur se unë njoftimin për shkarkimin tim e kam mësuar nga mediat teksa isha duke drekuar me disa miq të mitë, isha edhe me uniformë. Këtu pashë edhe një deklaratë për shtyp të tij që thoshte se “me veprimet ose mosveprimet e tyre mund të ishte eliminuar ngjarja”. Po ashtu në një televizion dëgjova të përsëriste të njëjtën gjë. Ndodhte zoti Oketa është i ri në detyrë dhe nuk ka pasur kohë të thellohet në gjithë këtë volum të madh pune që ka Ministria e Mbrojtjes, ndodhte edhe dikush me keqdashje e ka përdorur këtë informacion që ka. Unë do ti thosha zotit Oketa që t’i marri dhe t’i lexojë edhe njëherë ato dy urdhra qoftë 550 të prillit 2007, qoftë 2044 të dhjetorit 2007 dhe po gjeti një detyrë të parealizu8ar nga komanda ime atëherë ai mund të gjykojë në të njëjtën mënyrë. Nuk është përgjegjësia ime mënyra se si i formulon urdhrat aparati i Ministrisë së Mbrojtjes, kabineti i tij apo Shtabi i Përgjithshëm që punon për ministrin e Mbrojtjes, por detyra ime është ti ekzekutoj, t’i realizoj ato. Nëse shikohet se gjithçka nuk shkon me aq ekspertizë sa ka bërë shtabi unë kam detyrë të sugjeroj dhe e kam bërë këtë në lidhje me korrigjimin e praktikave dhe zoti Oketa do të ketë rast të njihet me to se i ka në sekretarinë e tij dhe po nuk i ka i kamë unë në sekretarinë time, bile i kam edhe të fotokopjuara dhe do t’ia paraqes ato Drejtësisë për të zgjidhur këtë andikap që ka ndodhur. Unë jam oficer i një vendi, i një shteti që pretendon të jetë demokratik dhe kam mendimin se institucionet do të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe të ligjshme. Unë i kam bërë kërkesë qoftë ministrit të Mbrojtjes të rishikojë qëndrimin e tij dhe qoftë Presidentit të Republikës në cilësinë e komandantit të Forcave të Armatosura të rishikojë dekretin e tij, dhe i kanë mundësinë ta bëjnë këtë nëse gjithsecili prej tyre e ndjen veten të përgjegjshëm ta prezantojë në mënyrë korrekte institucionin që drejton. Jam i bindur se do ta shikojnë qëndrimin e tyre, pasi jam i bindur se nxitimi që është treguar në rastin tim është mungesa e një debati apo analize për të nxjerrë qoftë edhe një përgjegjës për ngjarjen. Mendoj se përgjegjësi do kohë të dalë, por për mua janë thyer ligjet. Di të them se asnjëherë nuk jam pyetur nga Hetuesia pasi ata i kanë dokumentet dhe nuk kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë dhe nuk kanë nevojë ta bëjnë një gjë të tillë.

Marrë nga Vizion Plus

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›