E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka, pro deklaratave të BE-së në fushën e shëndetësisë



Shqipëria ka mbështetur nëntë deklaratat e Bashkimit Europian në fushën e shëndetit. Të gjitha këto, kanë të bëjnë me marrjen e disa masave për parandalimin e disa sëmundjeve të ndryshme. Deklaratat janë pjesë e agjendës së diskutimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, që po mbahet në Gjenevë nga data 19-24 maj. Sipas Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtja, delegacioni shqiptar, i kryesuar nga ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, është shprehur pro marrjes së masave të koordinuara në fushat që kanë të bëjnë me reduktimin e përdorimit të alkoolit, parandalimin e pandemisë së gripit, ndryshimet klimaterike dhe shëndeti, sëmundjet jokomunikuese, etj. Sipas tij, pjesë e deklaratave me BE-së është edhe shëndeti i emigrantëve. Në të gjitha vendet e BE, minimalisht, si shtetasit e vendit, ashtu edhe emigrantët legalë duhet të kenë mundësi të barabarta për kujdes shëndetësor. Emigrantët ilegalë, duhet të kenë akses në shërbimet e urgjencës, pavarësisht statusit të tyre. Pjesë e rregullave apo masave të përcaktuara nga BE-ja, është edhe konsumimi i tepërt i alkoolit. Specialistët sqarojnë se përdorimi i tepërt i alkoolit lidhje e fortë me dëmtimet fizike, aksidentet rrugore, vetëvrasjeve, dhunës dhe sjelljeve seksuale etj. Drejtori i ISHP-së, sqaroi se parandalimi i pandemisë së gripit është një tjetër objektiv, pasi ndalimi i përhapjes së gripit të shpendëve apo çdo forme tjetër virusale kërkon bashkërendimin e punës midis të gjithë shteteve për ndarjen e shpejtë të informacionit dhe marrjen e masave në bashkëveprim të ngushtë.

Të sëmurët mendor, më tepër qendra trajnimi në të gjithë vendin

Ministria e Shëndetësisë ka marrë masa për trajtimin e veçantë që kërkohet për të sëmurët mendor. Qëllimi është përmirësimi i shërbimit ndaj personave në nevojë dhe familjeve të tyre. Zëdhënësja e Ministrisë së Shëndetësisë, Zhaneta Tomçini, sqaron se në sajë të koordinimit të përpjekjeve reformuese të dikasterit të Shëndetësisë dhe strukturave në varësi, në bashkëpunim me OBSH-në,aktualisht Tirana është e mbuluar me shërbim komunitar multidisiplinar të shëndetit mendor. Kështu, qendra për trajtimin e t sëmurëve mendor janë ngritur në disa rrethe të vendit, si në Dibër, Gramsh, Vlorë dhe Shkodër, ndërsa janë duke u ngritur qendra të tilla në Korçë dhe Cërrik. Në Tiranë gjenden tre qendra të tilla, të cilat duhet të forcohen dhe të shtrihen në të gjithë vendin, sipas ministrisë së Shëndetësisë. Një aspekt i rëndësishëm i kësaj reforme është kualifikimi i personelit të sektorit të shëndetit mendor, duke u përpjekur për një bashkërendim më të mirë të të gjitha mundësive dhe ndërhyrjeve. Ndërkohë, po zhvillohen edhe trajnime për punonjësit mendor (që kanë një raport 1 psikiatër për 780 mijë banorë) dhe mjekët e familjes. Sistemi ynë shëndetësor po ndeshet me vështirësinë e punësimit të personelit në këto shërbime. Për përballimin e kësaj sfide në përpjekjet për të rritur motivimin e personelit, Qeveria, me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, ka miratuar në korrik 2007 rritjen e pagave deri në 30 % për të gjitha kategoritë e punonjësve të këtij sektori.

24 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›