E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, miliona për të varrosur futbollin

Bledar KUKA
Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, firmos një cek prej 500 milionë lekësh të vjetra dhe ekipi i parë i Flamurtarit krijohet si me magji. Njëzet apo më shumë futbollistë, një shtab trajnerësh dhe mjekësor dhe paksa administratë, sigurojnë të ardhurat për një sezon. Në qershor 2008 sezoni mbyllet, 500 milionë lekë janë të shpenzuara, ndërsa asgjë nuk është mbjellë që të shfrytëzohet në të ardhmen. Loja fillon nga e para. Le të shkojmë tek një president klubi, le të quhet Xhani, Sulaj, Hasanbelliu, Bizhdili, Fushaj apo le të jetë katërshja donatore e Tiranës (Ngjela, Halili, Nuri, Papuli). Gjithsecili prej tyre bën be e rrufe se 500 milionë lekë në vit i japin edhe ata, madje Xhani flet për mbi 1 milion dollarë, kurse katërshja bardheblu "frenohet" tek 1-milionëshi. Borderotë pa vlerë Të gjithë firmosin një bordero gjigante prej miliarda lekësh të vjetra në sezon, ndërsa ditë për ditë, në të 365 24-orëshat që ka viti, pjesa e nënujshme e ajsbergut zhytet gjithnjë e më poshtë. Me mijëra fëmijë, para të rinj e të rinj nuk shohin asnjë ndryshim; për ta ceku dhe borderoja janë balta, mungesa e dusheve, mungesa e fushave. Në këtë baltë dhe mungesë, fëmijët piqen, bëhen të rritur dhe shkojnë në ekipin e parë ku mbulojnë problemet e tyre financiare, por jo defektet teknike. Dhe njerëzit në stadium nuk kanë dëshirë të shkojnë më, për të parë futbollin defektoz shqiptar, pavarësisht sesa miliona shpenzon filan president, dhe aventurat në Evropë janë fatkeqe e kurrë fatmira dhe ekipi kombëtar mbetet mbi paterica e nuk ka doktor "Baricin" që mund t'ia heqë. Gjejmë disa futbollistë nga Kosova, që janë formësuar në Perëndim, për të mbushur greminën e frikshme që krijojmë vetë cdo ditë në ekipin kombëtar. Ne, si tifozë, specialistë apo gazetarë nuk e pikasim këtë kancer, jo më të përpiqemi ta shërojmë. Si fluturat drejt zjarrit, shkojmë drejt emocioneve të momentit, shortit të eliminatoreve botërore në Durban, shkarkimit të Baricit, caktimit të një Barici të ri që sërish do shkarkohet, 90 minutave që na dehin nga gëzimi apo na shkatërrojnë nervat. Kjo ndodh ditë për ditë, paralelisht me shpenzimet e borderove të kota dhe përbaltjen e fëmijëve, futbolli i të cilëve vdes ngadalë. Ka shpresë Cfarë mund të bëhet? Shumë mund të bëhet, sepse asgjë nuk është nisur për t'u bërë. Nëse nuk do të jetë thjesht tifoz e veprimtar elektoral, z. Gjika në Vlorë mund të ndajë 300 milionë lekë të vjetra në një vit dhe të ndërtojë një apo dy fusha futbolli për ekipet zinxhirë. Kur të kalojnë 3-4 vjet, ai do të shohë me kënaqësi se tashmë qyteti i tij i dashur do të ketë 5 apo më shumë fusha të tilla. Nëse kjo do të ndodhë në 30 rrethe që ka vendi, për 3-4 vjet Shqipëria do të kishte 150 apo më shumë fusha dhe themelet e së ardhmes do të ishin hedhur. Jo dehje Cfarë mund të bëhet? Të hiqet dorë nga dehja e momentit, sepse kjo pije nuk t'i zgjidh problemet. Nuk mund të harroj dehjen masive para 4 shtatorit 2004 për ndeshjen "e shekullit" ndaj Greqisë. Ish-kryeministri Fatos Nano u harbua për disa ditë, kamerat dhe mikrofonat u canë nga kushtrimi: 800 000 USD u premtuan për fitoren ndaj grekëve (disa thonë 1 milion), 500 000 i premtoi Nano dora vetë dhe 300 000 biznesi. Greqia u mund, kënaqësia s'do mend që ishte e madhe, por pa kaluar disa ditë u mundëm në Gjeorgji dhe u kthyem me këmbë në tokë (ndoshta u bë mirë që u mundëm, se shpëtuan 300 000 USD që u premtuan për fitore). 800 000 USD u futën në xhepa të rreth 20 kuqezinjve që, të rrimë shtrembër e të flasim drejt, as nuk kishin nevojë për to. Nëse Gjeorgjia do të "dilte djalë", shpenzimi do shkonte 1.1 milionë. Dasmë si e Malos, thuhet Z. Nano dhe biznesi le të mos u premtonin shqiptarëve dehjen kolektive të 4 shtatorit, por një edukatë pune dhe respekt për fëmijët e tyre. Ish-kryeministri do të mbahej mend më shumë për mirë, nëse 500 000 USD do t'i jepte për fusha futbolli për fëmijët, ashtu si edhe biznesi që nuk e paska problem të dhënka edhe 300 000 për 90 minuta futboll. Po Baricëve Dikush do të pyeste: Cfarë hyn këtu plaku nga Kroacia? Hyn, si nuk hyn. Po flasim për qindra mijë dollarë apo euro dhe Herr Oto "na i përlau" nja 300 000. Por për mua ky është një investim, jo si shpenzimi që u bë për Greqinë. Përse? Sepse një trajner i mirë nuk është dehje kolektive, ai është një shkollë. Vërtet fakultative, por nga e cila mund të mësojnë të gjithë, edhe trajnerët, edhe futbollistët, edhe prindërit shqiptarë. Sepse Baric ka 40 vjet profesion, madje në nivelet më të larta, sepse është një enciklopedi dhe sepse është një prind korrekt që nuk trokiti në asnjë derë që i biri të bëhej futbollist, ndonëse dyert edhe mund t'i hapeshin. Nepotizmi vret Po prindërit shqiptarë? Sapo u del përpara e ardhmja e djalit, nuk kanë më asnjë rëndësi rregullat, ligjet, klubi i zemrës. Cdo mur rrëzohet, cdo vijë e bardhë shkelet, mjaft që djali të bëhet futbollist, edhe kur nuk e meriton. Shkoni pyesni tek Tirana, se kanë dalë fjalët që është bërë si gjimnazi "Petro Nini Luarasi" në kohën e Enverit. Një president apo donator e prish vetë investimin, duke ndërhyrë në klub, që një nip i tij të "hajë një kafshatë bukë" në ekipin e parë. Qindra mijë lekë të vjetra në muaj rrogë shpenzohen kot, trajnerit i krijohen tensione me lojtarët që e shikojnë se dikush mbahet me hatër. Edhe kjo nuk është gjithcka. Dhuna sundon Pak ditë më parë, të dielën, Olimpiku i Tiranës fitoi 2-0 në Clirim të Fierit, për Kategorinë e Dytë. Trajneri i ekipit, Luan Sengla, nuk ishte më i gëzuar se herët e tjera që ishte mundur. "Pas ndeshjes shkova dhe takova kundërshtarët, - tregon ai, - i falënderova që u treguan shumë korrektë dhe u premtova se po ashtu do të silleshim edhe ne kur të vinin ata në Tiranë". "Nuk gëzohem shumë, - vazhdoi Sengla i urtë dhe punëtor, - sepse unë e di që mund t'i fitojmë shumicën e ndeshjeve, por na mundin me dhunë, me arbitra, jo me futboll". Unë e pyeta: A kishte ndonjë deputet apo kryetar bashkie Clirimi si sponsor? "Jo", - tha trajneri. Prandaj nuk ka pasur dhunë, - ishte përfundimi im. Sengla është ndër ata trajnerë që lexon shumë, përpiqet të përsoset, por në Shqipëri mjafton dhuna e padijes, që profesionisti të mos vlejë. Ku do të na cojë kjo rrugë? Le t'i numërojmë me radhë: Jo fusha të mira, nepotizëm, gjyqtarë si marioneta, dhunë për fushatë elektorale dhe tifozllëk i padijë. Cfarë futbolli është ky? A mund të na shpëtojë një trajner i huaj, edhe sikur ai të quhet Murinjo apo Kapelo? Po mirë, thotë dikush, atëherë c'na duhet trajneri i huaj në kombëtare? Duhet, duhet. Sepse Barici apo një Baric tjetër nuk do të përflitet kurrë se do marrë 2 apo 5 mijë dollarë për një lojtar në kombëtare, nuk do të përflitet se do ta marrë detyrën e trajnerit të një ekipi përfaqësues për të blerë shtëpi në Tiranë. Madje, Baricit nuk do t'i bënin dot presion të fortët e Shijakut, Durrësit apo Tiranës që të fuste djalin apo nipin e shokut të tyre në ekip, kurse një trajner shqiptar ka shpëtuar kot pa u rrahur para një ndeshjeje të Superkupës së Shqipërisë. Barici, mirë apo keq, do të vijë për të t'i bërë "hyzmet" rrogës së tij. Ego prapambetëse Ne kemi një problem të madh, egon, madje të palatuar fare, bruto. Një ego që rrjedh nga familja e madhe me një kulm ku jetojnë shumë kurora dhe ku plaku i fisit ka të drejtë për gjithcka, një ego që ndryshe nga Evropa, nuk prodhon konkurrencë, por vetëm hatëre që mbajnë njëri-tjetrin dhe i mbyllin rrugën zotësisë. Ego që nuk pëlqen, lejon, toleron kritika profesionale, por që i merr personale dhe ne jemi ende si në kohën e Enverit, ku në sipërfaqe gjithcka ecën mirë, ku depersonalizohesh po the të vërtetën, ku hipokrizia bën ligjin dhe ku luftohen vetëm emrat, pra klanet, por jo të këqijat. Prandaj gjithnjë shorti i eliminatoreve na duket gjithnjë i keq (me përjashtim të rastit kur kemi Gjermaninë, Anglinë, Italinë apo Greqinë që të dehemi kolektivisht), prandaj na duket vetja gjithnjë të pafat apo trajnerët e huaj nuk na bëjnë dot punë. Sepse e ndjejmë që fajin na e ka dobësia jonë dhe jo Portugalia, Suedia, Danimarka, ndonëse pëlqejmë të gënjehemi me ëndrra kualifikimi që nuk do të realizohen kurrë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›