Projektohet këmbimi Bogdani-Zampanja

Erion Bogdani mund të ndërrojë skuadër gjatë merkatos së janarit të ardhshëm. Është gazeta sportive italiane "Tuttosport" ajo që jep edhe lajmin e bujshëm për ne. Bogdani ende nuk e ka shënuar golin e parë me skuadrën e Livornos, por trajneri i Atalantës, Xhixhi Del Neri, e dëshiron ta këtë në skuadrën e tij. Për këtë arsye po projektohet edhe këmbimi midis shqiptarit dhe Rikardo Zampanjës që militon te Atalanta. Në fakt, është Del Neri ai që këmbëngul për të marrë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, i cili u transferua në orët e fundit të merkatos verore nga Siena te Livorno. Atalanta ka nevojë për një qendërsulmues race dhe duke parë vështirësitë për mbërritjen e Feninit, por dhe të Emanuele Kalajos, këmbimi kokë më kokë midis Bogdanit dhe Zampanjës duket plotësisht i mundshëm, pasi Atalanta e ka dëshiruar Erionin prej një kohë të gjatë.
Arapi "cmend" Silkeborgun
Futbollisti i Besës, Renato Arapi, mund të jetë shumë shpejt lojtar i Silkeborgut në Danimarkë, një nga vendet kundërshtare të Shqipërisë në eliminatoret e Botërorit 2010. Mbrojtësi i djathtë po stërvitet prej disa ditësh me klubin danez dhe sipas faqeve daneze të internetit ka bërë një përshtypje të mirë. Faqja zyrtare e Silkeborgut thekson faktin se lojtari i përfaqësueses U-21 të Shqipërisë ka luajtur 24 ndeshje me Shpresat është ftuar edhe për ekipin Kombëtar A të vendit të tij. 21-vjecari, 186 cm i gjatë, luan për një nga klubet më të mira të Shqipërisë, fituese e Kupës së Shqipërisë dhe kryesuese aktuale e kampionatit shqiptar.
Lala, tani edhe në juri
Altin Lala do të jetë pjesë e një jurie për të zgjedhur edhe fituesin e një projekti integrimi në landin e Saksonisë së Poshtme në Gjermani. "Fituesi do të shpërblehet me 30 mijë euro", - tha ministri i Brendshëm, Uve Shunenam, në Hanover. Për zgjedhjen e fituesit është formuar një juri shumë tërheqëse, në të cilën bën pjesë midis të tjerëve edhe muzikanti Muse dhe futbollisti Altin Lala, shkruan siti ad-hoc-news.de.