Ançeloti: “Në Lisbonë për të fituar”

Milani do të luajë neser kundër Benfikës në Lisbonë për Ligën e Kampioneve dhe trajneri Anceloti nuk e fsheh se, "objektivi i parë është fitorja". Milani, nëse fiton, kualifikohet automatikisht për raundin tjetër. Tekniku mori në Portugali 21 lojtarë, por për kuqezinjtë mungojnë Ambrozini (i skualifikuar), Inzagi (me probleme shëndetësore) dhe Emersoni, i cili ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi në kavilje. Sedorf do të luajë nga minuta e parë, pas shpinës së Xhilardinos dhe Kakasë, ndërkohë që Ronaldo do të futet gjatë ndeshjes. Sulmuesi i Milanit, Ronaldo, është i kujdesshëm: "Benfika meriton respekt". Braziliani shpreson të luajë disa minuta: "Jam mirë, por nuk mund të them se jam në maksimumin tim".
"Sigurisht që ka nevojë akoma për kohë, edhe pse dëshmoi klasin e tij", - thotë administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani. "Kontrata e re? Për rinovimin e saj ka akoma kohë". Së fundi, zëvendëspresidenti i kuqezinjve lëshon edhe një batutë për ndeshjen e së shtunës Milan-Juventus. "Ndeshja jonë e parë është ajo kundër Benfikës dhe pastaj kur të kthehemi në Itali do të mendojmë edhe për Juventusit", - ia pret shkurt Galiani.
Talenti i Milanit, Pato, është i vetmi lojtar i "huaj" i thirrur nga kryetekniku Dunga për kombëtaren olimpike braziliane për miqësoren e 9 dhjetorit. Të gjithë lojtarët e tjerë në skuadër, që do të formojnë edhe bazën e skuadrës për Olimpiadën e Pekinit, luajnë në Brazil, pesë prej tyre në kategorinë B. Skuadra e formuar do të përballet me një përfaqësuese të përbërë nga lojtarët më të mirë të kampionatit brazilian. Midis tyre do të jetë edhe Roxherio Ceni i San Paolos, golashënuesi më i mirë në botë përsa i përket portierëve.
LACIO
Në grupin C, Lacio duhet të fitojë kundër grekëve të Olimpiakos dhe nëse do të fitojë edhe Reali i Madridit kundër Verder Bremenit, atëherë skuadra e Delio Rosit do ta festonte një ndeshje nga përfundimi kualifikimin në raundin e ardhshëm. Bardhekaltërit do të luajnë me Goran Pandevin dhe Tomaso Rokin në sulm, ndërkohë që Mauri do të jetë në rolin e trekuartistit. Trajneri i Realit, Bernd Shuster, nga ana e tij do të luajë me Raulin dhe Van Nistelroin në sulm dhe me Robinjon nga e majta.
Në grupin A, Liverpuli do të kërkojë të fitojë sfidën me Porton, ndërsa Marseja do të jetë mysafire e turqve të Beshiktashit. Në grupin B, Celsi me Drogbanë në qendër të sulmit fluturoi në Norvegji për të luajtur kundër Rozenborgut, ndërsa sfida tjetër, ajo midis Valencias dhe Shalke 04, do të jetë shumë e vështirë për të dy ekipet në "Mestaja".