Hidink, tension me Federatën Ruse të Futbollit

E coi Rusinë në një kualifikim të mrekullueshëm për në finalet e Kampionatit Europian, por për federatën kjo nuk mjafton. Rinovimi i kontratës aktuale të Gus Hindink, kur duhet edhe një muaj të mbarojë ajo aktualja, po vonohet jo pak. Menaxheri i teknikut holandez ndihet i shqetësuar. "Situata nuk më duket normale. Federata ka thënë se Gus dëshironte të qëndronte në drejtimin e Rusisë, por deri tani nuk ka ndodhur asgjë", - shpjegon Cees van Nieuvenhuizen për gazetën ‘Sovietsky Sport'. – "E kam ndihmuar Gusin të firmosë disa kontrata me federata të ndryshme, por nuk kam parë një situatë të ngjashme si kjo deri tani. Kam dërguar në federatë disa i- maile, por deri tani nuk kam marrë asnjë përgjigje. Nëse nuk e dëshirojnë më Hidinkun, duhet vetëm ta thonë". E ardhmja e Hidinkut, i cili e coi Holandën dhe Korenë e Jugut në vendin e katërt në botërorët 1998 dhe 2002 dhe Australinë në të tetat e finaleve të vitit 2006, mund të jetë edhe në bankinën e kombëtares angleze, pikërisht skuadrës që e eliminoi në kualifikueset e Euro 2008.
Bilic kritikon arrogantin Ouen
Kryetrajneri i Kroacisë, Slaven Bilic, kritikoi arrogancën e Majkëll Ouenit, i cili ishte shprehur me konsiderata negative për lojtarët kroatë. "Ka pak tone arrogante kur thotë se ‘asnjë lojtar i Kroacisë nuk do të ishte në gjendje të luante për kombëtaren angleze", - tha Bilic për tabloidin anglez "The Sun", në lidhje me vlerësimet e Ouenit. Kroacia, pasi e mundi 2-0 në Zagreb në fund të vitit 2006, e mposhti edhe Anglinë 3-2 edhe në Uembli, më 21 nëntor, duke e eliminuar nga Euro 2008.
Anglia: "Platini, merru me punët e tua!"
"Le të merret me cështjet e tij". Kjo ishte replika e ashpër e Anglisë si përgjigje ndaj presidentit të UEFA-s, Platini, në lidhje me shqetësimin e tij për lojtarët e huaj në Premier League. Lajmi bëhet i ditur nga "France Presse". "UEFA merret me Ligën e Kampioneve dhe kampionatet europiane", - thotë Den Xhonson, zëdhënës i Premier League. "Ne jemi të kënaqur me kampionatin tonë dhe e bëjmë atë me sukses. Nuk janë problemet e tij". Platini kishte theksuar se prania e bollshme e të huajve në kampionatin anglez ishte edhe një ndër shkaqet e moskualifikimit të Anglisë në finalet e Euro 2008.
Del Piero: "Unë dhe Ronaldo, gol në San Siro"
Alesandro Del Piero flet për ndeshjen e radhës me Milanin, takim që do të luhet ditën e shtunë. Dy ekipet i ndan një diferencë jo e vogël pikësh: "Milani është prapa asaj që të gjithë prisnim, por potenciali dhe zotësia e kësaj skuadre dhe e këtij klubi janë superiorë në raport me atë që thotë realiteti i sotëm". Del Piero jep edhe një koment për Kakanë: "Topi i artë? Di që e meriton për atë që ka bërë sezonin e kaluar, besoj se po". Në fund, edhe një batutë për Ronaldon. "Jam i lumtur që kam mundësinë ta takoj dhe ta përqafoj, jam i lumtur që është mirë. Shpresojmë se do të bëjmë gol të dy të shtunën në mbrëmje".
Bekam shënon gol, Galaksi humbet
Anglezi Devid Bekam shënoi një gol të jashtëzakonshëm me goditje dënimi, por që nuk mjaftoi për të shmangur humbjen e skuadrës së tij, Los Anxheles Galaksi, në miqësoren me Sidnej FC. Skuadra e britanikut pësoi një humbje 5-3 përpara 80.295 shikuesve. Të dielën, Galaksi do të jetë i impenjuar në një tjetër ndeshje miqësore, kësaj radhe në Zelandën e Re, kundër Foeniksit të Uelingtonit.
Stadiumi i vdekjes do të shkatërrohet
Stadiumi "Fonte Nova di Bahia", një nga tribunat e të cilit u rrëzua duke shkaktuar vdekjen e shtatë personave, do të shkatërrohet. Në vend të tij do të ndërtohet një impiant i ri. "Fonte Nova", i ndërtuar në vitet 1950 dhe i rimodernizuar me tribuna të reja në vitet 1970, u rrëzua pasi tifozët e Bahias festuan kalimin nga kategoria C në B. Në një studim të Federatës Braziliane të Futbollit, në kuadër të Botërorit të Brazilit 2014, u arrit në përfundimin se "Fonte Nova" ishte më i keqi ndër 27 stadiumet e kontrolluara.