E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, miqësore me Lihtenshtenjin në Tiranë

Pas kundërshtarëve mediatikë: Turqi, Slloveni, Armeni, më në fund Federata Shqiptare e Futbollit ka mundur të gjejë kundërshtarin real për datën e lirë të 20 gushtit. Lihteshtejni modest ka pranuar të vijë të luajë në Tiranë, për të festuar ndeshjen e 100-të tyre ndërkombëtare (6 fitore, 10 barazime, 83 humbje).
Lajmi është zyrtarizuar tashmë dhe konfirmimi është publikuar në faqen zyrtare të FSHF-së, fshf.org. Para një viti kundërshtari ynë ishte Malta, ndaj së cilës ish-trajneri Oto Baric fitoi 3-0, por humbi Besart Berishën, ndërkohë që në vitin 2006, Shqipëria fitoi me të njëjtin rezultat me San Marinon.
Më në fund trajneri holandez Ari Han ka marrë frymë lirisht pasi përvec kualitetit të varfër të kundërshtarit (vendi i 129-të në FIFA, i 46-i në UEFA ), ndaj të cilit kuqezinjtë do të shprehen lirshëm, takimi do të zhvillohet në të njëjtin stadium ("Qemal Stafa"), atje ku do të luhet edhe takimi i parë eliminator kundër Suedisë së Zlatan Ibrahimovicit, i vlefshëm për Kampionatin Botëror "Afrika e Jugut 2010".
Takimi kundër Lihteshtejnit do të jetë testi i tretë miqësor dhe i pari para publikut shqiptar i ish-trajnerit të Kinës, në drejtimin e Shqipërisë pas atyre me skuadrën zvicerane të katëgorisë së dytë, Shafhauzen (të fituar 3-1) dhe finalistes së Kampionatit Europian, Polonisë (të humbur 0-1) në Reutlingen të Gjermanisë.
Lihteshtejni, një principatë-shtet me reth 36 mijë banorë, është një emër i panjohur për statistikat e futbollit shqiptar. Kuqezinjtë nuk kanë luajtur ndonjëherë kundër tyre.
Ndeshjen e fundit miqësore Lihteshtejni e ka humbur me Zvicrën 3-0 (më 30 maj 2008. Ekipi i futbollit të Lihteshtejnit është parë gjithmonë si një mundësi e mirë për të rregulluar golaverazhin. Humbja më e thellë e tyre është ajo kundër Maqedonisë (11-1), ndërkohë që Malta e ka mundur 7-1 në praninë e vetëm 200 vetave në "T'a Qali" të La Valetës.
Rezultati më i mirë historik i tyre është barazimi 2-2 me Portgalinë në vitin 2004, ndërkohë që kanë fituar 4-0 me Luksemburgun në kualifikueset e Kupës së Botës 2006. Në fitoret e Lihteshtejnit janë dhe ato me Letoninë (1-0) dhe Islandën (3-0), të arritura në eliminatoret e Euro 2008. Zvicerani Hans Peter Zaug është trajneri aktual i Lihteshtejnit, post të cilin e mban nga viti 2006.
Lojtari më i njohur i Lihteshtejnit është kapiteni Mario Frik (79 ndeshje, 13 gola), i cili luan për Sienën në Itali. Në eliminatoret e Kupës së Botës, Lihteshtejni ndodhet në një grup me Gjermaninë, Rusinë, Finlandën, Uellsin e Azerbajxhanin. Nëse Shqipëria do të luajë ndeshjen e parë zyrtare kundër Suedisë, Lihteshtejni do të përballet me Gjermaninë.
Ekipet e futbollit të Lihteshtejnit luajnë në kampionatin zviceran (vendi kufizohet nga Austria e Zvicra). Kupa e Lihteshtejnit i lejon një skuadre të Lihteshtejnit të marrë pjesë cdo vit në Kupën UEFA. Klubi më i njohur i Lihteshtejnit është Vaduz që merr pjesë në Kategorinë e dytë të futbollit zvicerane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›