Aspirata shqiptare, integrimi në BE
Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, konfirmoi të premten në Strasburg, vullnetin e palëkundur të Shqipërisë për të vijuar me reformat, pavarësisht sfidave që ato mbartin, për të ecur përpara drejt perspektivës euroatlantike. Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, këtë deklaratë, Kryetarja Topalli e bëri gjatë punimeve të Konferencës politike të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Në fjalën e saj, Kryetarja e Kuvendit vlerësoi se i gjithë procesi i integrimit në BE, me qendër Këshillin e Evropës, është bazuar mbi vlera dhe kjo është arsyeja që aspirata e Shqipërisë mbetet integrimi në familjen, së cilës ne, natyrshëm, i përkasim. Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se ëndrra evropiane e shqiptarëve ka mbetur ndezur, pavarësisht vështirësive historike në të cilat ka kaluar kombi ynë, ndaj dhe 17 vjet pas ndarjes nga regjimi totalitar, historia e Shqipërisë nga një histori disfate, është shndërruar në një histori suksesi. “Me mbështetjen e vendeve mike, ne ushqyem ëndrrën evropiane, ecëm me ritëm përpara, realizuam reforma të guximshme dhe kjo në sajë të një lidershipi të fortë dhe vetëvendosje e përkushtim të fuqishëm. Në sajë të reformave të gjithanshme, politike, ekonomike e sociale, të kryera veçanërisht në tre vitet e fundit, Shqipëria ka përjetuar ngjarje të mëdha historike”, - tha Kryetarja Topalli, duke theksuar marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Duke sjellë në vëmendje progresin e Shqipërisë në fushën politike dhe kohezionin social, Kryetarja Topalli u shpreh se Qeveria i ka kushtuar prioritet absolut luftës kundër krimit dhe korrupsionit, jo vetëm se shkelen të drejtat e njeriut dhe cenohet stabiliteti ligjor i shtetit, por edhe sepse dëmtohet rëndë imazhi dhe demokracia funksionale. Duke renditur disa nga arritjet e Shqipërisë gjatë viteve të fundit, Kryetarja e Kuvendit veçoi atë, që ajo e konsideroi si një revolucion të madh fiskal. Sipas saj, vetëm dy vjet më parë, Shqipëria ishte vendi i taksave më të larta në Evropë, ndërsa sot si rezultat i reformës fiskale, Shqipëria është një nga vendet me barrën fiskale më të ulët në kontinent. Duke nënvizuar angazhimin serioz të Shqipërisë për përafrimin dhe zbatimin e ligjeve të BE-së, kryetarja e Parlamentit vuri në dukje se "në Kuvend janë miratuar me dhjetëra ligje që prekin fushën e të drejtave të njeriut, ku më i rëndësishmi ka qenë ligji për organizmin e gjyqësorit, ndërkohë që jemi duke punuar mbi reformën elektorale". Duke u ndalur te situata në rajon, Kryetarja e Kuvendit vuri në dukje se rajoni i Ballkanit, pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, po jeton një realitet të ri, të orientuar drejt paqes, stabilitetit dhe integrimit euroatlantik. Në këtë realitet të ri, Kryetarja Topalli kërkoi që Kosova të bëhet shpejt anëtare e Këshillit të Evropës.
Ky lajm është publikuar: 24/05/2008