E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, momenti i shpërthimit

Dritan Ikonomi

Kapiteni Lorik Cana beson se skuadra e tanishme ka të ardhme të madhe përpara dhe është çasti që të shpalosë vlerat

Shqipëria nuk do të vendosë objektiva të çmendur para vetes, por do të përpiqet të bëjë më të mirën ndeshje pas ndeshjeje, për të parë në fund se ku do të ketë arritur. Kjo është fjala e kapitenit Lorik Cana, në prag të takimit të sotëm me Qipron. Cana nuk premton mrekulli si kualifikimi, por garanton tifozët se skuadra do të luftojë deri në fundit. Kapiteni vlerëson se kur ai e ka nisur me kombëtaren skuadra kishte më tepër cilësi, por grupi i sotëm premton shumë për të ardhmen.

- Lorik, thuhet shpesh se fillimi i mbarë është gjysma e punës. Do ta nisni kështu ndaj Qipros?

- Kam besim se do ta nisim mbarë, por për sa i përket gjysmës së punë… cila është puna?  (qesh) Sigurisht që një fillim i mbarë është shumë i rëndësishëm për ne. Detyra jonë është të arrijmë rezultate sa më të mira, për të përfaqësuar denjësisht vendin. Nuk mund të fluturojmë dhe të themi se do ta mbyllim të parët në grup. Qëllimi ynë është të fitojmë sa më shumë ndeshje dhe pse jo të kualifikohemi, por para së gjithash duhet të jemi me këmbë në tokë për mundësitë që kemi.

- Grupi duke më i pranueshëm, pa skuadra të mëdha.

- Jemi në një grup më të ekuilibruar se në të kaluarën. Luajmë ndaj ekipeve, të cilat kanë thuajse një nivel me ne, ndërkohë që nga vazo 1 dhe 2 kemi kapur kundërshtarët më të mirë të mundshëm. Sigurisht, disa nga skuadrat që kemi në grup duhet ta pranojmë se janë më lart se ne në cilësi dhe në rezultate. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se kombëtarja jonë nuk është ambicioze për të arritur më të mirën.

- Si e shihni Qipron? 

- Qipro është në një nivel me ne dhe natyrisht që do të luajmë për të fituar. Pak a shumë e njohim kundërshtarin, teksa kemi parë së fundmi edhe ndeshjet që ka zhvilluar. Qipro u ka hapur gjithnjë probleme skuadrave të mëdha, ashtu si kemi bërë edhe ne. Edhe pse nuk është nga skuadrat e mëdha në Evropë, vetë cilësia e lojtarëve që kanë dhe suksesi i arritur me klubet, bën që ti vlerësosh në maksimum.

Fakti që një skuadër qipriote arriti të shkonte edicionin e kaluar deri në çerekfinalet e Champions  League do të thotë se futbolli aty është më i zhvilluar se në Shqipëri. Sigurisht që në klube ka edhe lojtarë të huaj, megjithatë është një fakt që flet për zhvillim. Brenda Qipros ka lojtarë cilësorë, madje edhe të huaj. Nuk kemi aspak luksin për ti parë ata si inferiorë karshi nesh.

Qipro mund të na krijojë vështirësi dhe këtë e ka treguar edhe në miqësoret e fundit me Bullgarinë dhe Serbinë. E shikoj si një kundërshtar të barabartë me ne, por në fushën tonë ne do të bëjmë gjithçka për ta mposhtur.

- Çdo rezultat veç fitores do të ishte dështim?

- Nëse flasim për synime, ndaj Qipros duhet të na kënaqë vetëm trepikëshi. Një barazim do të jetë zhgënjim, por ndoshta dështim nuk mund ta quaj. Në grupin tonë nuk kemi ekipe që janë shumë më të dobëta se ne, ndërsa në të kaluarën ka pasur. Në këto kushte, do të kërkojmë fitoren me Qipron, por dihet që në futboll gjithçka ndodh. Qipro ka marrë barazim në Portugali, pse mos të marrë edhe në Shqipëri?

e bëj këtë edhe këtu tek ne. Mirëpo, e përsëris se në fushën tonë do të ishte zhgënjim nëse barazonim. Pastaj në Zvicër është një tjetër histori, ata janë favoritë dhe ne do të luajmë të mos dalim pa pikë. Një pikë do të na kënaqte, por të shohim se çfarë mund të ndodhë.

- Sa i keni ndihmuar ju, si kapiten dhe lojtar i vjetër tashmë, të ardhurit e rinj për tu integruar në familjen kuqezi?

- Për lojtarët e rinj që vijnë në ekipin Kombëtar, gjëja më e rëndësishme është që të ambientohen me grupin. Ata duhet ta ndjejnë veten mirë brenda ekipit dhe kjo ka më shumë rëndësi për një lojtar që vjen nga jashtë dhe nuk është rritur në Shqipëri. Besoj se Meha dhe Kukeli do të jenë lojtarë shumë të rëndësishëm për ne. Gjithsesi, këtë do ta tregojë koha.

Personalisht mundohem ti ndihmoj për çdo gjë. Për një lojtar nëse ndihet mirë psikologjikisht dhe moralisht, e ka më të lehtë në fushë. Nëse vlejnë apo jo, këtë do ta tregojë koha dhe fusha, por para së gjithash ata duhet të ndihen mirë. Për këtë kam menduar jo vetëm unë si kapiten, por edhe të gjithë lojtarët më të vjetër.

Mund të jepni një vlerësim për skuadrën, nisur nga ndeshja me të rinjtë e Teutës?

Ishte një test i rëndësishëm për ne, pasi ishim vetëm dy ditë para ndeshjes. Provuam disa gjëra në aspektin taktik dhe kjo na vlejti, pavarësisht kundërshtarit modest që kishim përballë, ndonëse ata luftuan dhe për këtë i falënderoj. Ndryshe është kur stërvitesh dhe ndryshe është kur ke një kundërshtar për tu testuar. Unë kam bindjen se nesër (sot) do të jemi në gjendje të mirë fizike dhe mendore.

- Tashmë ju keni shumë vite me kombëtaren, sa mund të arrijë kjo skuadër?

- Kombëtarja e ka pasur grupin më të fortë 10 vite më parë, kur unë kam qenë në hapat e para me fanellën kuqezi. Në atë periudhë mund të kishim arritur edhe më shumë, sikur të kishim qenë një grup më i bashkuar. Në kohën kur trajner ka qenë Brigel, cilësia e lojtarëve ishte më e madhe.

Megjithatë, jam shumë i sigurt se në vitet e ardhshme Kombëtarja do të jetë shumë më e fortë, duke e krahasuar me dy dekadat e fundit. Momentalisht në ekip kemi të rinj, por edhe lojtarë që kanë arritur një farë pjekurie. Është momenti që ky grup të shpërthejë dhe unë jam optimist se do tia dalim.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›