E Diel, 1 Nëntor 2026

Koçi: Me Turbinën për të përmbushur misionin

Nga Artan Paja

Mbrojtësi i skuadrës së Turbinës, Flaurent Koçi është rikthyer sërish në mbrojtje të ngjyrave cërrikase, duke hedhur prapa dëmtimet e sezonit të kaluar, dhe njëkohësisht është shfaqur mjaft optimist në lidhje me objektivin e vënë nga krerët më të lartë të klubit.

Në pozicionin e mbrojtësit të majtë, kryeqytetasi i talentuar pati një pauzë gati prej një faze, për shkak të një dëmtimi serioz, ku gjatë ndeshjes së fundit të fazës së parë ndaj skuadrës së Bilishtit, ai pësoi një dëmtim të rëndë. Me rikthimin e tij,  mbrojtesi garanton stafin teknik, e vecanërisht trajnerët Belshi dhe Metaj, se Turbina është në rrugë të mbarë për të pretenduar një nga dy vendet e para të kreut, pavarësisht grupit ku do të luajë gjatë edicionit të ri.

”Jam i gëzuar që rikthehem sërish në Cërrik, pasi aty kam lënë një mision të papërfunduar, pikërisht ngjitjen në kategorinë e parë. Duke parë seancat stërvitore të ditëve të fundit, kam konstatuar se grupi i futbollistëve po shfaqet më i impenjuar dhe më serioz, një argument plus ky që të bën patjetër një pretendent real.

Mendoj se nuk ka shumë rëndësi grupi se ku do të luajë Turbina gjatë sezonit të ri, por e rëndësishme mbetet motivimi i grupit të futbollistëve, të cilët besoj se kanë të njëjtën dëshirë, atë të ngjitjes në një kategori më lart. Natyrisht që çdo skuadër kërkon të përsoset me elementë sa më kualifikues, por edhe këta që janë aktualisht kanë përgatitjen e duhur fizike për të synuar një vend pranë kreut të renditjes’, tha për Sportin Shqiptar, mbrojtësi kryeqytetas, Flaurent Koçi.

Skuadra e Turbinës vazhdon të mirëpresë ende futbollistë të talentuar, të cilët sapo u mbyll merkatoja e kategorisë së parë, trokitën menjëherë në dyert e Cërrikut. Nga burimet pranë klubit, mësohet se dy lojtarë të tjerë elbasanas si Dine dhe Jaupi do të aktivizohen gjatë seancave stërvitore, ku pritet të fitojnë besimin e stafit teknik, por dhe dy emra të tjerë futbollistësh pritet të konfirmohen zyrtarisht.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›