E Diel, 1 Nëntor 2026

Çoçlli: Ky Partizan ka zgjuar njerëzit, tani ti mbajmë gjallë

Nga ILIR CARA

Për trajnerin e të kuqve, Nikolin Çoçlli, ndeshja me Butrintin është më e fortë se me Adën, pasi është më e vështirë ta ruash rezultatin pozitiv, se sa ta arrish

Konfigurimi i Partizanit të sezonit të ri konsiderohet i përfunduar, megjithëse ky proces ka zgjatur disi, për vetë shtrirjen që mori merkatoja e të kuqve. Kjo javë përgatitore e ka konsoliduar grupin, pasi kanë mbërritur edhe dokumentacionet e duhura për futbollistët që nuk u aktivizuan në javën e parë. Për stafin teknik të kuqtë po punojnë në kushte normale dhe mendohet se pas sfidës së radhës me Butrintin gjërat do të hyjnë në rrugën e duhur.

Sipas trajnerit Nikolin Çoçlli, Partizani me fitoren që mori në Velipojë ka zgjuar interesin e dashamirësve të futbollit në tërësi, si dhe të tifozëve të zjarrtë. Prandaj, tani vjen momenti më i vështirë, ku zgjimi i dashamirësve duhet mbajtur gjallë, me shpresën se shumë shpjet do të rikthehet Partizani i ditëve të lavdishme.

Që në fillim është thënë se ky është Partizani i rikthimit të vërtetë dhe si objektiv primar mbetet ngjitja në superligë. Që në 90 minutat e para të sezonit u dha sinjali i parë, pasi me atë fitore që morëm në Velipojë arritëm të zgjojmë njerëzit, të  cilët janë të përfshirë në botën e futbollit në Shqipëri. Tani kemi më shumë përgjegjësi mbi vete, se na duhet ti mbajnë gjallë këto njerëz që zgjuam dhe shumë shpejt ti gëzojmë me trofe,- u shpreh për Sportin Shqiptar trajneri i demave të kuq, Nikolin Çoçlli.

Butrinti më i vështirë se Ada Për trajnerin Çoçlli përballja në shtëpi me Butrintin është më e vështirë se ajo që u arrit në Velipojë. Sipas Çoçllit, ndaj sarandjotëve fitorja nuk duhet diskutuar, se përndryshe tripikëshi i marrë në Velipojë do të konsiderohej i rastësishëm dhe do të shumëzohej me zero. Skuadra prej ditësh po përgatitet në kushte dhe situatë normale, situatë e cila pritet të përmirësohet akoma më shumë, madje edhe para sfidës me Butrintin. Nesër i presim në shtëpi sarandjotët dhe për ne ky takim është më i vështirë se ai që morëm me Adën. Është më e vështirë ta ruash, se sa arrish rezultatin pozitiv.

randaj ndaj Butrintit në mënyrë kategorike nuk na lejohen gabimet, pasi kështu do të zhvlerësonim edhe atë fitore të javës së shkuar. Skuadra nuk është nën presion, por është rritur përgjegjësia, sepse që të realizojmë synimin, duhet që çdo fitore të pasohet nga një tjetër rezultat pozitiv. Vërtetë luajmë në shtëpi, por këto ndeshjet brenda janë më të vështira se jashtë, sepse kundërshtarët vijnë për tu mbrojtur. Atyre u interesojnë dy rezultate, ndërsa ne synojmë vetëm fitoren.

Kam besim se në këtë takim do të jemi më lart se në premierën e kampionatit, kjo edhe për faktin se grupi është më i plotë. Ky takim do të jetë prova e parë e vërtetë për Partizanin, ku vijmë më të konsoliduar, luajmë në një terren të mirë, si dhe para tifozëve tanë. Pra, në sidën e së shtunës, që do ta zhvillojmë në Selman Stërmasi, për ne nuk ka asnjë justifikim,- vijon më tej trajneri Nikolin Çoçlli.

Formacioni? Kemi 22 futbollistë të gatshëm Partizani gjatë gjithë javës është munduar që të përqendrohet vetëm tek përgatitjet në fushë, duke mos u bërë pjesë e deklaratave mediatike. Kur e pyet trajnerin Çoçlli për formacionin e mundshëm për ndeshjen me Butrintin, ai përgjigjet: Natyra ime është që të mos e bëj publike formacionin, sepse asnjë nuk duhet ta krijojë idenë se meqenëse e tha trajneri, e paskam të sigurt vendin.

Fatmirësisht për këtë takim e kemi të plotë grupin. Kam 22 futbollistë të gatshëm, kështu që pak rëndësi ka se kush do të luajë, ata të gjithë janë njëlloj dhe të gjithë së bashku luftojmë për një qëllim. Te Partizani ka konkurrencë, ku çdo pozicion është i dubluar dhe në këtë aspekt jam i qetë, por lojtarët duhet të jenë të kujdesshëm, në mënyrë që të mos e shpërdorojnë besimin e dhënë.

Gjithsesi, diçka mund të themi, ku edhe për Butrintin do të bazohemi tek transferta e Velipojës,  do të ketë edhe ndryshime, por jo të shumta,- përfundon trajneri i Partizanit, Nikolin Çoçlli.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›