Ibrahimi: Mbrojtja e Elbasanit është hermetike
Sipas mbrojtësit, Elbasani do të kalojë dhe Kamzën, madje duke ruajtur të paprekur portën e saj
Skuadra e Elbasanit po vijon përgatitjet e fundit për ndeshjen ndaj Kamzës, e cila do të luhet të shtunën në fushën, Skënder Halili në Tiranë. Një gjë pozitive kjo, duke parë që ekipi i Kamzës nuk do të luajë në fushën e tij dhe kjo gjë pritet që të jetë disi në favor të ekipit verdheblu. Trajneri File ka patur në dispozicion të gjithë grupin e lojtarëve në seancën e fundit stërvitore.
Me grupin është stërvitur edhe mesfushori, Endri Dalipi, por i diferencuar nga skuadra. Seanca stërvitore është zhvilluar në stadiumin Ruzhdi Bizhuta në mënyrë që ekipi të ambjentohet disi me fushën që do të luajë në Tiranë. Këtë ndeshje Elbasani pritet që të ketë formacionin më të mirë të mundshëm, pasi me rikthimin e Dalipit reparti i mesfushës është konsoliduar më shumë.
Elbasani do të kërkojë një tjetër fitore në këtë javë të dytë në transfertë, dhe sipas mbrojtësit të krahut, Domeniko Ibrahimi, ekipi verdheblu ka çdo mundësi që të dalë me pikë të plota nga ndeshja përballë Kamzës. Ai shprehet se ekipet këtë sezon janë thuajse në një nivel, gjë kjo që e bën të mundur marrjen e trepikëshit në ndeshjen e rradhës. Do të udhëtojmë në Tiranë për tu ndeshur me ekipin e Kamzës në një ndeshje ku synojmë vetëm fitoren.
Një avantazh për ne do të jetë edhe fakti që ndeshja nuk do të luhet në stadiumin e Kamzës, por në fushën sportive Skënder Halili, ndaj dhe ne do të mundohemi ta shfrytëzojmë në maksimum këtë gjë. Ekipi është në një formë të mirë, këtë gjë e treguam dhe në ndeshjen e parë por duhet të jemi të vetëdijshëm se Kamza nuk është Naftëtari.
Gjithsesi, këtë sezon ekipet nuk kanë patur ndonjë diferencë të madhe midis tyre, ndaj dhe pritet që të jetë një garë e hapur. Besoj se ne do të arrijmë të kthehemi me fitore nga kjo transfertë, duke vazhdojmë rrugën drejt superligës, tha Ibeahimi. Gjithashtu mbrojtësi Ibrahimi, i cili ka qënë një pikë e fortë verdhebluve thotë se mbrojtja në këtë ndeshje do të bëjë të pamundurën që të mos lejojë prekjen e rrjetës së tyre.
Në ndeshjen e parë portieri Ruci u impenjua shumë pak, kjo pasi mbrojtja ishte në nivelin e duhur. Katërshja Ibrahimi, Mërtiri, Dushku dhe Kapja kryen një punë të mirë gjatë ndeshjes më Naftëtarin, dhe Ibrahimi shprehet mjaft i bindur se edhe në këtë ndeshje mbrojtja verdheblu do të jetë në gjëndje të mire, duke mos lejuar që porta e Rucit të vihet shpeshherë në provë.
Bëmë një paraqitje të mirë në mbrojtjë në ndeshjen e parë, të cilën kërkojmë që të ruajmë vazhdimësinë e formës tonë. Në skuadër kemi një mbrojtës si Mërtiri që ka mjaft eksperiencë dhe na orienton shumë në fushën e lojës. Gjithashtu edhe mbrojtësit Dushku dhe Kapja bënë një paraqitje mjaft të mirë. Mendoj se tani jemi të konsoliduar mbrapa, dhe them me plot bindje se nuk do të pësojmë gol përballë Kamzës, tha Ibrahimi.
