E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria mund t’i plotësojë kushtet për të realizuar zgjedhje sipas teknologjisë më moderne

Votimi elektronik, flasin ekspertët estonezë

Ideja për futjen e votimin elektronik dhe në Shqipëri, doli gjatë takimit të kryeministrit Berisha me homologun e vet estonez gjatë kësaj jave. Estonia shprehu interes në ofrimin e eksperiencës së vet në këtë drejtim. Dy ekspertë estonezë të teknologjisë së informacionit, pjesë e delegacionit që vizitoi vendin tonë, gjatë një interviste televizive shpjeguan detaje mbi funksionimin e votimit elektronik, duke rreshtuar avantazhet, por dhe detyrat që dalin përpara për realizimin e këtij procesi. Ekspertët thanë se votimi elektronik është i sigurt dhe shkurton kohën e përpunimit të të dhënave. Sipas tyre Shqipëria mund ta zbatojë me sukses këtë proces.
Mihkel Tikk, nga Qendra Informatike e Estonisë, u shpreh se “Shqipëria mund ta aplikojë me sukses votimin elektronik”.
Sipas tij, në radhë të parë nevojitet një vullnet politik, po ashtu dhe ndryshim i mentalitetit tek njerëzit.
“Duhet të mbështesni këtë proces me legjislacionin e duhur, me pajisje teknike, lidhje të sigurta dhe njerëz të kualifikuar. Teknikisht duhet lidhje interneti në të gjithë vendin, jo domosdoshmërish internet në çdo shtëpi, por të paktën në çdo qendër komunitare. Duhen karta identiteti, të cilat ju tashmë i keni. Njerëzit në fillim mund të jenë dyshues mbi sigurinë e sistemit, ne në Estoni e sqaruam këtë, që është një metodë shumë transparente dhe e sigurt. Mendoj se ju keni mjaft shanse për të pasur sukses në zbatimin e votimit elektronik, dhe ne mund t’ju ndihmojmë me eksperiencën tonë. Në fakt dhe ne në Estoni e nisëm nga i njëjti pozicion ku dhe ju jeni aktualisht. Madje ju mund të keni dhe avantazhe, pasi po zbatoni forma të ndryshme të qeverisjes elektronike, pagesave etj.
Votimi elektronik mund të sjellë rritjen e numrit të votuesve, sidomos në radhët e të rinjve, e rëndësishme sipas ekspertëve estoneze është krijimi i një autostrade dixhitale”, deklaroi ai.
Ndërsa, Raul Rikk, Trustcorp, shef i Sigurisë Kibernetike, tha se “votimi elektronik është shumë i mirë, nga eksperienca jonë kemi vënë re rritje të numrit të votuesve, sidomos tek të rinjtë që zakonisht nuk preferojnë të votojnë, ata do e kenë më të lehtë, do ulen para kompjuterit dhe do votojnë”.
“Përparësia tjetër e votimit elektronik, është se nuk ka rëndësi se ku gjendeni, ju mund të votoni nëse keni lidhje interneti, qofshi në çdo skaj të Shqipërisë apo dhe jashtë vendit. Estonia e ka zbatuar dy herë votimin elektronik, votuesit kanë pasur dy opsione votën manuale dhe atë elektronike. Herën e parë vetëm 2 për qind e votuesve e përdorën, ndërsa të dytën numri i tyre i rrit ndjeshëm në 15 për qind. E rëndësishme është që të krijoni autostradën dixhitale që do krijojë lidhje mes një numri të madh të dhënash, duke mundësuar jo vetëm votimin elektronik, por edhe shumë zgjidhje të tjera elektronike si p.sh në sistemin e shëndetësisë, polici etj”, u shpreh eksperti estonez.
Mundësia e votimit elektronik në Shqipëri është mbështetur këto ditë edhe nga një numër i madh ekspertësh të jurispundencës, apo problemeve zgjedhore në vend

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›