Nuk do tolerohen punimet pa leje të Bashkisë në sheshin “Skënderbej”

Kreu i Inspektoratit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi
Edhe Inspektoriatit Ndërtimor paralajmëron Bashkinë e Tiranës se do të pezullohen punimet në sheshin “Skënderbej”, menjëherë pas një vendimi. Kreu i këtij institucioni Gjergj Bojaxhi, u shpreh se nuk do të tolerohen punimet pa leje në qendrën e Tiranës dhe se Bashkia mund të evitojë një situatë bllokimi, duke respektuar procedurat ligjore. Duke i konsideruar ndërtimet pa leje në Tiranë si një masakër 20 vjeçare, Bojaxhiu shprehu bindjen se do të gjendej një zgjidhje.
“Di që Bashkia e Tiranës nuk ka leje nga KRTRRSH-ja për punimet në shesh. Inspektoriati pa dyshim do ti trajtojë të gjitha punimet publike, të cilat bëhen pa miratimet përkatëse. Institucioni jonë do bëj shkresën dhe është policia e rendit ajo që bën zbatimin fizik të sheshit. Sepse Inspektoriati qendror nuk ka as për detyrë dhe as nuk duhet të përleshet trup-trup me askënd, asnjë polici, as individ. Duhet që policia e shtetit të sigurojë ambientin, pra sheshin, në mënyrë që policia ndërtimore të bëjë veprimet që ia kërkon ligji. Në këtë mes unë do të thosha që bashkia e Tiranës fare mirë mund ta evitojë këtë gjë, duke shkruar dhe bërë aplikimin për leje”, u shpreh Bojaxhi.
Ai vlerësoi kthimin në një shesh pedonal të sheshit “Skënderbej”, por ai tha se nuk do të mbështeste ndërtimin e pallateve private, pavarësisht kateve të tyre.
“çdo hapësirë që i shtohet qytetit ku këmbësorët dominojnë dhe makinat janë të limituara është një gjë pozitive, por kjo duhet bërë duke marrë parasysh një kontekst më të gjerë të qytetit dhe jo thjesht duke dhënë disa leje më tepër pallatesh meqë kjo do bëhet për këmbësorë”, deklaroi Bojaxhi.
Për z. Bojaxhi, fakti që një pjesë e madhe e sheshit kthehet në zonë pedonale ku lejohen vetëm makinat e urgjencës, ambulancat dhe ato të policisë dhe ndalohet trafiku i zakonshëm për qytetarët e Tiranës është pozitive, por ai theksoi se duhet të shohim ç’po ndodh rreth këtij sheshi.
“është një zonë që ka shumë rrugë, blloqe pallatesh ku banojnë njerëz dhe padyshim ata do të përdorin këtë shesh pedonal, por problemi është që nuk duhet të gënjehemi nga kjo. Ajo që kërkojmë është që çdo ndërtim në këtë shesh duhet të jetë në interes publik”, vijoi më tej, kreu i Inspektoriatit Ndërtimor, Gjergj Bojaxhi.
Ai u shpreh se duhet të kërkojmë standarde dhe kritere për mënyrën e përdorimit dhe dhënies së lejeve, pasi nuk ka më hapësira ku njerezit mund të dalin të bëjnë një shëtitje të qetë në blloqe të mëdha pallatesh dhe intensitete të mëdha banesash.
Duke u ndalur ne angazhimet e tij në detyrën e re Bojaxhi tha se çdo objekt që nuk është përfshirë nga procesi i legalizimit do të prishet.
“Ndërtimet pa leje cenojnë jetën private dhe dëmtojnë interesin e vendit, por ato janë edhe injorimi më i madh që i bëhet shtetit”, tha më tej Bojaxhi, duke theksuar se në punën e tij, prioritetet do të ketë zona bregdetare e cila nuk përfiton nga procesi i legalizimit.