E Shtunë, 31 Tetor 2026

Genc Pollo merr detyrën e parë si anëtar kryesie i PD-së

Pas 10 viteve largim, Genc Pollo rikthehet në PD, duke u përfshirë direkt në lidershipin e partisë. Mes 26 emrave të kryesisë së PD-së, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet e brendshme në parti, është dhe emri i kryereformatorit Genc Pollo. Bashkë me Ilir Rusmalin, Genc Pollo është emëruar nga lideri Berisha për të monitoruar procesin e zgjedhjeve të reja në qarkun e Gjirokastrës. Në orët e vona të mbrëmjes së 21 tetorit, z. Berisha mblodhi kryesinë e PD-së, një mbledhje kjo e paparalajmëruar nga ku emëroi kryetarët dhe nënkryetarët e 12 grupeve të punës që do shpërndahen në nivel qarqesh në të gjithë vendin. Berisha ka ndryshuar ekipet e mëparshme, duke bërë lëvizje të reja dhe duke angazhuar njerëz edhe jashtë kryesisë së PD-së. Në qarkun e Shkodrës, kryetare është caktuar Jozefina Topalli dhe nënkryetar deputeti Astrit Bushati. Në Kukës zgjedhjet do të ndiqen nga Jemin Gjana kryetar, dhe Aleksandër Biberaj nënkryetar. Qarku i Dibrës do të jetë nën monitorimin e Ilir Banos dhe Njazi Kosovrastit. Ndërkohë që në Lezhë është emëruar Fatos Beja dhe Edi Paloka, kurse në Durrës Gazmend Oketa dhe Gjergj Lezhja. Zgjedhjet e reja në Tiranë do të drejtohen nga kryetari Sali berisha me përfshirjen edhe të deputetëve të PD-së që janë votuar në kryeqytet. Qarku i Elbasanit i është besuar si kryetar Lulzim Bashës dhe si nënkryetar Halit Shamatës. Ndryshime ka pësuar edhe grupi i punës në qarkun e Beratit, në përbërjen e të cilit do të jenë dy anëtarët e kryesisë, Edmond Spaho dhe Majlinda Bregu. Në Fier zgjedhjet do jenë nën kujdesin e Sokol Olldashit dhe Genc Rulit, kurse në Korçë procesi do të mbikëqyret nga Ridvan Bode dhe Marjeta Zaçe. Vlora i është besuar Astrit Patozit dhe Leonard Demit, kurse dy rrethe, ai i Tiranës Gent Strazimirit dhe i Kavajës Flamur Nokës. Këto 12 grupe pune, sipas urdhrit të z. Berisha do të fillojnë menjëherë nga puna, duke zbritur në bazë, ndërkohë që ato do të zgjerohen me anëtarë të tjerë me qëllim mirëfunksionimin e të gjithë procesit zgjedhor në mbarë bazën e demokratëve. Përveç drejtuesve dhe anëtarëve të kryesisë së PD-së, në këto grupe do të përfshihen edhe përfaqësues të pushtetit lokal, drejtues të drejtorive dhe institucioneve rajonale, anëtarë të PD-së, veprimtarë të spikatur politikë dhe individë me njohje dhe reputacion në zonat përkatëse. Kryetarët e 12 grupeve të punës do të ndjekin nga afër zgjedhjet në qarqet përkatëse, ndërkohë që në instancat qendrore do të raportojnë në mënyrë të herëpashershme për ecurinë dhe problematikën e procesit të zgjedhjeve. PD-ja prej disa javësh ka nisur zyrtarisht fushatën elektorale brenda partisë për zgjedhjet e reja kuvendore të prillit të 2009-ës. Përmes tyre do të ristrukturohen strukturat e partisë, të cilat u paraprijnë vetëm dy muaj zgjedhjeve të reja parlamentare nga të cilat PD-ja synon një tjetër mandat qeverisës.

PD, grupet e punës në 12 qarqet

Qarku kryetar nënkryetar

1. Shkodër Jozefina Topalli, Astrit Bushati

2. Kukës Jemin Gjana, Aleksandër Biberaj

3. Dibër Ilir Bano, Njazi Kosovrasti

4. Lezhë Fatos Beja Edi Paloka

5. Durrës Gazmend Oketa Gjergj Lezhja

6. Tiranë Sali Berisha Deputetët e Tiranës

7. Elbasan Lulzim Basha Halit Shamata

8. Berat Edmond Spaho Majlinda Bregu

9. Fier Sokol Olldashi Genc Ruli

10. Korçë Ridvan Bode Marjeta Zaçe

11. Gjirokastër Genc Pollo Ilir Rusmali

12. Vlorë Astrit Patozi Leonard Demi

13. Kavajë Flamur Noka

14. Rrethi i Tiranës Gent Strazimiri

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›