E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Kontroll korrupsionit edhe brenda familjes

Qeveria shtrin kontrollin e korrupsionit edhe brenda në familjet shqiptare. Pas sektorit shtetëror, tashmë antikorrupsioni përfshin edhe sektorin privat. Kryeministri Sali Berisha kërkoi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave hartimin e ndryshimeve ligjore, ku të përfshihet deklarimi i dadove apo kujdestarëve të fëmijëve. Kryeministri tha se mbajtja e tyre nga familje apo persona pa paguar sigurimet shoqërore, konsiderohet punë në të zezë dhe është formë skllavërie. Në këtë mënyrë politikat fiskale të qeverisë në emër të barazisë para ligjit tani do prekin edhe buxhetin e një familjeje për mirërritjen e fëmijëve. Berisha autorizoi ministrin e Financave, Ridvan Bode, që të përgatisë sa më parë një ligj përmes të cilit familjari të paguajë sigurimet shoqërore apo shëndetësore të bebisiterave. Pagesa, sipas tij, do të jetë e detyrueshme. Me jo pak ironi Kryeministri pranoi se profesioni i bebisiterave vërehet më shumë te borgjezia e re.

Kryeministri u shpreh se qeveria nuk i ka diktuar dhe nuk do t’i diktojë marrëdhëniet kontraktuale sektorit privat, i cili është i lirë t’i zhvillojë ato, por gjithmonë në mënyrë transparente.

“Nuk ka formë më çnjerëzore se mbajtja e punëtorëve në të zi. Është skllavëri. Z. Ministër i Financave, me shpejtësi duhet të bëhen ndryshimet ligjore ku të përfshihet deklarimi i dadove dhe kujdestarëve të fëmijëve. Ata duhet të jenë të regjistruar. Ai që mban një punonjës në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijën apo shtëpinë, duhet të paguajë për të sigurimet shoqërore”, - tha z. Berisha. “Natyrisht, - shtoi ai, - duhet të bëhet diferencimi, por e rëndësishme është që t’i nxjerrim nga skllavëria. Ndaj, - sipas tij, - dhe të parashikohen të gjitha. Familja, - theksoi Berisha, - apo personi që ka mundësinë të marrë një punonjëse, nuk mund të mos ketë mundësi të paguajë sigurimin shoqëror të këtyre punonjësve part-time. Le t’i kategorizojnë fillimisht në këtë grup dhe le t’i nxjerrin në dritë. Problemi kryesor mbetet sektori publik, por sektori privat operohet nëpërmjet risqeve, nëpërmjet transparencës, pasi ne nuk i diktojmë marrëdhëniet kontraktuale sektorit privat . Ai është i lirë t’i zhvillojë ato, por jo pa transparencë”, - deklaroi Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›