Gjermania ratifikon MSA-në, Greqia mbetet e fundit
Zyra e shtypit pranë ambasadës gjermane në Tiranë bëri dje me dije se Parlamenti gjerman ratifikoi Marrëveshjen e Stabilizim-Acociimit me Shqipërinë, duke i hapur rrugën procesit të ratifikimit të këtij dokumenti të rëndësishëm për Shqipërinë. Sipas njoftimit për shtyp, ky dokument do të kalojë në përfaqësitë e landeve dhe më pas më datën 7 nëntor do të ketë një ratifikim përfundimtar. Tashmë vetëm Greqia ka mbetur e fundit, e cila nuk ka ratifikuar këtë marrëveshjen me Shqipërinë, mes 27 vendeve të Bashkimit Evropian. Ratifikimi i plotë i MSA-së me të gjitha vendet e BE-së është kushti për vend kandidat për të hyrë në BE. “Në seancën e tij të datës 16 tetor 2008 Bundestagu gjerman ndërmori ratifikimin e projektligjit të qeverisë federale në lidhje me ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit të BE-së me Shqipërinë. Kjo i hap rrugën miratimit të ligjit nga Përfaqësia e Landeve Federale Gjermane. Këtë të premte, më datë 24 tetor, ky ligj do të qëndrojë në rendin e ditës së Komisionit të BE-së të Bundesratit. Mendohet që në datë 7 nëntor Bundesrati ta trajtojë këtë çështje në mënyrë përmbyllëse. Ratifikimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit midis BE-së dhe Shqipërisë nga Gjermania, marrëveshje e cila konkretizon përafrimin e vendit me BE-në si dhe përforcon statusin e Shqipërisë si kandidat potencial për anëtarësim, mund të mbyllet këtë vit”, - thuhet në njoftimin për shtyp të ambasadës gjermane në Tiranë. Sipas parashikimeve, në rast se procesi i ratifikimi me Greqinë mbyllet brenda vitit 2008, atëherë pritet që në pranverën e vitit 2009 Shqipëria të aplikojë për statusin e vendit kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian.