E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria në BE, zgjerimi i Unionit rrit sigurinë në Europë”

Ministri Bujar Nishani takohet me Ministrin Roberto Maroni

Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani priti dje në një takim ministrin e Brendshëm të Italisë, Roberto Maroni. Në fjalën e tij ministri Nishani, pasi shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria Italiane i ka dhënë Shqipërisë në pranimin e kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE, e informoi ministrin Maroni rreth hapave të ndërmarra nga Ministria e Drejtësisë në hartimin dhe miratimin e një pakete ligjesh për funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, të cilat do të rrisin edhe më tej forcën e luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit. Ministri Nishani u shpreh rreth disa iniciativa të rëndësishme të institucionit që ai drejton, siç është  projektligji “Për marrëdhëniet jurdiksionale me autoritet e huaja në  çështjet penale”, projektligj që do të nxisë bashkëpunimin mes dy vendeve tona në fushën  ekzekutimit të vendimeve penale. Në kuadër të iniciativave ligjore Ministri u shpreh edhe për një tjetër ligj shumë të rëndësishëm, ligjin “Antimafia”. “Ky ligj i godet asetet kriminale duke bërë të mundur që personat dhe anëtarë të grupeve kriminale që hetohen për veprat penale, nëpërmjet një procesi të veçantë të hetohen dhe  t‘u  bllokohen asetet financiare të tyre. Kjo do të të bëjë të pamundur përdorimin e këtyre aseteve financiare për të ndikuar në procesin e gjykimit”, u shpreh ministri. Ministri theksoi se “Ministria e Drejtësisë do të jetë e hapur dhe bashkëpunuese në të gjitha çështjet e bashkëpunimit që lidhen me çështjet e drejtësisë për të dhënë prova nga ana e Shqipërisë të shtetit ligjor, pasi shtetit ligjor dhe funksionimi i tij janë baza e zhvillimit të demokracisë”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›