E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizat, BE do aplikojë procedurë të përkohshme për shqiptarët

Në prag të liberalizimit të plotë, qytetarët mund të pajisen me viza të shkurtra 6 mujore


Bashkimi Evropian pritet të procedojë një qëndrim unik për dokumentacionin që duhet të plotësojnë shqiptarët, në mënyrë që të përfitojnë një vizë qëndrimin në një nga vendet e hapësirës “Shengen”. Përmes një njoftimi zyrtar, Presidenca suedeze e Bashkimit Europian ka kërkuar unifikim të dokumentacionit që duhet të plotësojnë qytetarët shqiptarë për vizita të shkurtra deri 6 mujore në çdo vend anëtar të zonës “Shengen”. Në këtë njoftim që presidenca suedeze ka dërguar për qytetarët shqiptarë thuhet se çdo zotërues i pasaportës shqiptare ka të drejtë të qëndrojë për një periudhë maksimale prej 90 ditësh brenda 6 muajve në një nga vendet “Shengen” në rast se plotëson një dokumentacion fiks, i cili tashmë unifikohet për gjithë vendet e “Shengenit”. Kësisoj, Presidenca suedeze ua ka dërguar një kopje të dokumentacionit gjithë Ambasadave të vendeve “Shengen” në Shqipëri që ato të përdorin për të lëshuar viza deri gjashtë mujore për qytetarët shqiptarë. Tarifa e vizës është unifikuar 35 euro për vendet “Shengen”, me përjashtim të Zvicrës ku tarifa është 60 euro. Tarifa nuk zbatohet për disa kategori të përmendura në marrëveshjen e lehtësimit të vizave, si anëtarët e delegacioneve zyrtare, fëmijët nën 6 vjeç, gazetarët, pensionistët etj. Për secilën kategori ka disa dokumente shtesë që lidhen edhe me qëllimin e udhëtimit. Për shembull, për vizën si vizitorë duhet mbështetje nga personi pritës, rezervim udhëtimi etj. Për vizë biznesi duhet letër nga shoqëria apo zyra pritëse, letër punësimi e biznesmenit etj. Në kushtet kur Shqipëria pritet të përfitojë liberalizim të plotë vizash, BE pritet të aplikojë këtë procedurë të re dhe të përkohshme me qëllim mos penalizimin e qytetarëve në prag të hyrjes së Shqipërisë në zonën e lëvizjes së lirë "Shengen". Brenda 6 mujorit të parë të vitit të ardhshëm, Komisioni Evropian do të marrë vendimin për liberalizimin e vizave me Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›