E Diel, 1 Nëntor 2026

Frattini kërkon heqjen e vizave, Britania bën thirrje për anëtarësimin e Shqipërisë në BE

Hyrja e Shqipërisë në NATO jep efektet e para pozitive në Samitin e Pragës

TIRANE – Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, ka filluar të japë efektet e para, kur liderët ndërkombëtarë të BE-së, e shohin këtë si një provë të kapërcyer për vendin tonë, i cili meriton edhe më shumë.
Ndërsa Franco Frattini, ka propozuar në Samitin e Pragës të ditës së djeshme, heqjen e regjimit të vizave për Shqipërinë dhe Ballkanit perëndimor, homologu i tij britanik Dejvid Miliband ka kërkuar që pas sprovës së NATO-s, Shqipëria të pranohet sa më parë në BE.
Ndërkaq shefi i diplomacisë suedeze Karl Bilt theksoi se zgjerimi i BE-së po zbatohet që nga fundi i viteve të 60-ta të shekullit të kaluar dhe se gjithmonë dikush ka qenë kundër këtij procesi, por ai edhe më tej është zbatuar. Sipas tij, nëse vendeve të Ballkanit Perëndimor “u mbyllet dera para hundës”, kjo do të mund të ketë pasoja të rënda për rajonin.

Frattini: Të hyjë në fuqi të një regjimi i lirë pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor
Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini paraqiti dje një plan tetëpikësh për përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit të ministrave të Jashtëm të SHBA-së dhe BE-s, të organizuar në Pragë, kryeqytetin e Çekisë, e cila mban edhe Presidencën e BE-së.
Plani i paraqitur nga Frattini, parashikon hyrjen në fuqi të një regjimi të lirë pa viza për vendet e Ballkanit Perëndimor. Sipas propozimit të kreut të diplomacisë italiane, një raport i Komisionit Evropian lidhur me këtë çështje duhet të jetë gati deri në fund të majit dhe të hyjë në fuqi në fund të vitit 2009, apo në fillim të vitit të ardhshëm.
Italia kërkon gjithashtu një zhbllokim të shpejtë të bisedimeve midis Shkupit dhe Athinës lidhur me mosmarrëveshjen për emrin zyrtar të Maqedonisë, në mënyrë që t'u hapet rrugë negociatave të anëtarësimit në BE dhe NATO.
Plani i Frattinit parashikon gjithashtu mbajtjen e një samiti midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në gjysmën e parë të vitit 2010, me pjesëmarrjen edhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
 
Miliband: Pas NATO-s, Shqipëria meriton të anëtarësohet sa më shpejt edhe në BE
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ka përforcuar zërat që kërkojnë një përshpejtim të aderimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Ministri i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Dejvid Miliband, deklaroi dje në Strasburg se Shqipëria e meritoi anëtarësimin e NATO. “Jam i gëzuar për popullin e Shqipërisë që u fut në NATO. Shqipëria punoi shumë dhe bëri hapa domethënës në reforma”, u shpreh Miliband.
Ai shtoi në këtë kuadër se në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan, Shqipëria duhet të përfitojë maksimalisht. “Ne diskutuam situaten ne Ballkan dhe është i rëndësishëm procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian me vende të tjera të rajonit. Kur vendet janë gati ne duam zgjerimin sepse edhe organizata bëhet më e fuqishme”, u shpreh Miliband.
Kreu i diplomacisë britanike ka qenë ndër zërat më të fuqishëm pro zgjerimit të mëtejshëm të unionit duke iu kundërvënë në mënyrë energjike atyre anëtarëve që për shkak të krizës ekonomike globale arsyetojnë që ky proces duhet të ndalet për njëfarë periudhe. “Britania e Madhe tërësisht bën përpjekje për zgjerimin e BE-së të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Tërësisht është e qartë se zgjerimi i BE-së është në interesin e saj. Ballkani Perëndimor duhet të ketë perspektivë evropiane”, deklaroi Miliband, gjatë takimit joformal të shefave të diplomacive të BE-së kushtuar Ballkanit Perëndimor,
mbajtur disa ditë më parë  në Çeki.
Në të njëjtën linje me atë ministri italian i Punëve të Jashtme, Franco Frattini nënvizoi se të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor duhet, nga ky tubim, t’u dërgohet mesazh pozitiv.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›