E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Shqipëria në NATO, hap historik”

 

Presidenti i SHBA-së, Xhorxh Bush, e ka konsideruar si një hap historik anëtarësimin e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO. Duke folur gjatë nënshkrimit të Protokollit të anëtarësimit të këtyre dy vendeve në Aleancë, në prani edhe të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scheffer, Bush tha se “ky është një moment kur populli amerikan gëzon me popullin shqiptar dhe kroat, një hap i madh drejt përfshirjes së vendeve të tyre në aleancën më të madhe të lirisë që ka njohur ndonjëherë bota. Hyrja e Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO është një hap historik për Ballkanin. Brenda një dekade ky rajon u transformua nga një tokë e dëmtuar nga lufta në një rajon kontribuues për vendosjen e paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar”. Ndërkohë, krerët më të lartë të shtetit në Tiranë kanë përshëndetur dje firmën e hedhur nga kreu i Shtëpisë së Bardhë mbi këtë dokument. Presidenti Bamir Topi i ka dërguar një mesazh mirënjohjeje Presidentit Bush, ku në emër të popullit shqiptar e falënderon për mbështetjen e vazhdueshme e të gjithanshme që i është dhënë Shqipërisë. “Shpreh bindjen se vendimi juaj inkurajon proceset demokratike në Shqipëri, e në të njëjtën kohë forcon vullnetin e popullit tim për të ndërtuar një shtet të së drejtës, të lirisë dhe të respektit ndërinstitucional, një shtet të aftë për të përballuar me sukses sfidat që e ardhmja i rezervon”, thuhet në mesazhin e Topit. Nga ana e saj, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, theksoi në mesazhin e saj se, “Firma e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, George W. Bush në ligjin e pranimit të Shqipërisë për t’u anëtarësuar me të drejta të plota në NATO, tregon edhe një herë se Komuniteti Ndërkombëtar nën lidershipin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit aq të dashur për shqiptarët, George W. Bush, vlerësuan meritën e reformave të paimagjinueshme që Shqipëria ka bërë vitet e fundit”. Ndërsa sipas Kryeministrit Berisha: “Firmosja më datë 24 tetor nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, George W. Bush, të ligjit të Senatit të Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut përbën aktin ligjor më madhor në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve, pas njohjes nga vendi i lirisë, i Shqipërisë së pavarur”.

Berisha: Vonesat në përkthime shtynë nënshkrimin e MSA nga Greqia

Greqia nuk e ka ratifikuar ende MSA-në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian për shkak të vonesave në përkthimin e tekstit të marrëveshjes. Kështu e ka justifikuar dje Kryeministri Sali Berisha faktin që vendi fqinj nuk e ka ratifikuar ende dokumentin. Duke folur në një konferencë për shtyp, Berisha tha se “përsa i përket ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk ka absolutisht në të gjithë të dhënat nga komisioni dhe nga autoritetet greke, vonesa ka lidhje me disa probleme të përkthimit të tekstit, siç është e njohur se çështja e përkthimit krijoi vonesa dhe në Austri, e cila e kapërceu, krijoi vonesa në Gjermani, e cila akoma nuk e ka ratifikuar, por ratifikimi i MSA-së është një proces që ecën në mbarësi të plotë”. Sipas tij: “Mendoj se Greqia ka dhënë një kontribut të çmuar dhe të pamohueshëm dhe të shumanshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Greqia ka qenë, mbetet një protagoniste shumë e rëndësishme e proceseve integruese evropiane dhe euroatlantike në rajon”.

“Marrëdhënie normale me Uidhers”

Sipas kreut të qeverisë, marrëdhëniet e tij me ambasadorin amerikan Xhon Uidhers janë normale dhe karakterizohen nga një frymë bashkëpunimi. “Marrëdhëniet midis Kryeministrit dhe ambasadorit janë marrëdhënie normale, marrëdhënie që karakterizohen nga një frymë e hapur bashkëpunimi dhe ambasadori e ambasada ka rolin e vet të padiskutueshëm në të gjitha këto zhvillime historike në Uashington. Për këtë nuk mund të ketë komente”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›