Shqipëria në Trans-Adriatik

Autoritetet në Shqipëri po përgatiten që ta përfshijnë vendin në njërin prej rrjeteve më të fuqishme për bartjen e gazit nga Deti Kaspik për në kontinentin evropian. Projekti i Trans-Adriatikut, me një gjatësi prej 520 km, do te kaloje nga Greqia në Shqipëri dhe përfundon në Itali.
Lufta për të siguruar burime energjetike të qëndrueshme mbetet një nga sfidat strategjike globale.
Për Bashkimin Evropian gazi si një ndër burimet energjetike më të lira ka përvijuar tri projekte për ndërtim rrjetesh të reja të furnizimit për shtetet anëtare, të cilat kanë si burim kryesor Detin Kaspik.
Kjo shikohet edhe si një përpjekje konkrete për të evituar dhe amortizuar varësinë energjetike nga Rusia apo Afrika.
Gara për ndërtimin e njërit prej këtyre projekteve që mbështeten fuqishëm nga BE-ja, po ndiqet me interes dhe nga autoritetet zyrtare në Tiranë.
Dorian Duçka, drejtor i Drejtorisë së Projekteve në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, METE, theksoi: ““Pikërisht projekti i tretë që quhet dhe tubacioni i Trans-Adriatikut, TAP, me shtrirje 520 km përfshin dhe territorin shqiptar. Pasi ai kalon transit nga Greqia për në Shqipëri dhe përfundon në Itali”.